Malishevë: 21 vjet burgim për nipin që e vrau axhën
21 vjet burgim.
Ky është verdikti i dhënë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ndaj B.B i cili e vrau axhen e tij, vitin e kaluar.
Ngjarja tragjike kishte ndodhur në fshatin Kijevë të Malishevës, më 28 prill 2023.
I pandehuri u shpall fajtor për dy vepra penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në këtë dënim do të llogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim.
“I pandehuri B.B., “me datë 28.04.2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë, Komuna Malishevë, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B., ashtu që ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B., po e rrokullisë arkën e betonit të marr nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dal nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “Ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërguar te bunari” si dhe shkak të motiveve të ulëta për shkak të dyshimeve që i pandehuri kishte se viktima ka pasur raport intim me gruan e tij, atëherë i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën gjysmë automatike e tipit “Crvena Zastava”, modelit M88A të kalibrit 9×19 m dhe me të ofruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të ndjerit S.B., ku viktima mundohet të ik me tej por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra, ku janë sharë mes vete, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o me vrajti, o me vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ik edhe për 3-4 metra më tej, mirëpo i pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi, ku vdekja e të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë nga ekspertit mjeko ligjor, i cili ka konstatuar se shkaku i vdekjes së viktimës S.B., ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Konfiskohet një pistoletë gjysmë automatike të tipit Crvena Zastava, model M88A e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë (8) fishekë të kalibrit 9×19 mm i dizajnuar për pistoletë Crvena Zastava, model M88A dhe gjashtë (6) fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe një pushkë e gjuetisë me dy tuta e tipit Hüglü, model 104A e kalibrit 12 bore, një fishekë i kalibrit 7.65×17 mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.