KFOR-i mohon se negocioi për tërheqjen e sulmuesve në Banjskë: E paskatë

KFOR-i mohon se negocioi për tërheqjen e sulmuesve në Banjskë: E paskatë

KFOR-i ka hedhur poshtë pretendimet në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave se misioni paqeruajtës i NATO-s negocioi për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Përmes një deklarate, KFOR-i thotë se ky pretendim është i pasaktë.

“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjskë në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në deklaratë.

KFOT-i thotë se ishte koordinuar me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për ta rivendosur sigurinë në atë zonë, pasi ishte thirrur për ta përforcuar praninë atje.

“Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në deklaratë.

KFOR-i rikujton kërkesën e NATO-s për vënien para drejtësisë të autorëve të atij sulmi.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen”, thuhet në deklaratë.

Në fund, KFOR-i përsërit, si zakonisht, se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Shpërndaje në: