Haziri: Ka mbi njëmijë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje, qeveria është e papunë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se ka mbi 1 mijë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje.
Haziri në Radio Dukagjini, ka thënë se Qeveria e Kosovës sot është e papunë.
Sipas Hazirit, qeveria Kurti i ka “dhënë imazh të keq Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos me dështimin e fundit në KiE.”
“Kurti vetëm nëse jeton në botën paralele në Kosovë mund të thotë që nuk ka nevojë për dorëheqje se punët po bëhen mirë, Qeveria e Kosovës sot është e papunë. Proceset që i ka iniciuar i kanë dështuar, vendin e ka çu në masa kufizuese dhe kufizime serioze, tashmë ka vetëm vizita ceremoniale, homazhe, përkujtime. Gërvalla shkon takon kongresmenë, grupe të shoqatave shqiptare, arbëreshë, bëjnë takime rutinë për të blerë kohë. Në çdo sektor të madh në Kosovë ndëshkimet janë krahasimisht momentale. Ka një mijë arsye me shku në zgjedhje, nëse ish pranu Kosova në KiE, dje Kosova kish me dalë ndryshe përballë Serbisë në OKB”, ka deklaruar Haziri.
Ai thotë se qëndrimi i LDK-së mbetet i njëjtë sa i përket mundësisë për zgjedhje, duke shtuar se nuk e përkrahin mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit, vetëm nëse ka dorëheqje ose shkarkim të Kurtit.
I pyetur në lidhje se a ka pasur LDK-ja takime me PDK-në e AAK-në për të diskutuar për zgjedhjet, Haziri ka thënë se takime specifikisht që lidhen me këtë çështje nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë.
“Takime specifikisht që lidhen me këtë çështje nuk ka pasë as nuk ka me pasë. Komunikimi jonë me partitë e opozitës nuk është korrekt derisa s’ka dialog politik në Kosovë, Kurti është shkaktar i kësaj, i vetmi dialog është parlamenti i Kosovës”, ka vijuar Haziri.
Ndryshe, partitë opozitare po i duan zgjedhjet e parakohshme, por nuk pajtohen se si të arrijnë deri te to.
Partitë opozitare në Kosovë mbeten të ndara – Partia Demokratike e Kosovës pajtohet që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat duan fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Opsionin e fundit, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, “nuk e konsideron”.
Në përpjekje për të arritur një konsensus, grupet parlamentare u mblodhën në fillim të kësaj jave, por pa sukses.
Mandati i Qeverisë aktuale skadon në fillim të vitit të ardhshëm.
Debatin për zgjedhje të parakohshme, opozita ka kohë që e ka nisur, duke e kritikuar Kurtin për keqqeverisje.
Por, ai është intensifikuar nga java e kaluar, kur Kurti ka takuar kryetarin e PDK-së – partisë më të madhe opozitare – Memli Krasniqi dhe ka shprehur gatishmëri për të diskutuar datën e zgjedhjeve.