Mbi 10 vite burgim dhe 56 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim e tregti të ndaluar

Mbi 10 vite burgim dhe 56 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim e tregti të ndaluar

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Izedin Mejzinit, Vesat Imerit, Nexhip Gashit, Naim Abrashit, Besim Sylejmanit, Sylë Sylejmanit dhe Armend Ilijazit duke i dënuar në total me 10 vite e 8 muaj burgim dhe 56 mijë euro gjobë,  të cilët akuzoheshin për kontrabandim e tregti të ndaluar.

Shpallja e këtij aktgjykimi për këtë rast është bërë të premten, nga kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Mejzini, u dënua me 1 vit e 8 muaj burg dhe me 15 mijë euro gjobë, për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.

Për të njëjtën vepër, i akuzuari Gashi, u dënua me 2 vite e 6 maj burg dhe 20 mijë euro gjobë.

Edhe i akuzuari Abrashi për kryerjen e kësaj vepre u dënua me 1 vite burg dhe 1 mijë euro gjobë.

Po ashtu për të njëjtën vepër u dënua  me 2 vite e 6 muaj dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari Imeri.

Ndërsa, i  akuzuari Besim Sylejmani, sipas aktgjykimit u dënua me 1 vit burg, për veprën penale “Tregti e ndaluar“.

Po ashtu për këtë vepër edhe i akuzuari Sylë Sylejmani u dënua me 1 vit burg.

Për veprën e penale “Tregti e ndaluar“, u dënua me 1 vit burg edhe i akuzuari Iljazi.

Të gjithë akuzuarve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgimi.

Sipas aktgjykimit, do të konfiskohen medikamentet e listuara si në listën e ekspertoriatit farmaceutik, konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria“ dhe “Sig Suer,“ si dhe 723 fishek të kalibrit të ndryshëm konfiskohen.

Ndërsa, veturat e sekuestruar “Opel Corsa“ dhe “AudiA3”, në pronësi të akuzuarve Besim dhe Syl Sylejmani, 12 mijë e 300 euro në pronësi të akuzuarit Mejzini dhe 5 mijë euro në pronësi të akuzuarit Besim Sylejmanit, sipas aktgjykimit iu kthehen pronarëve të vetë,  pasi që nuk ka bazë për konfiskim.

Tutje, sipas gjykatës, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe pasi ta kenë paguar dënimin me gjobë, të akuzuarve Mejzini, Abrashi dhe Besim Sylejmanit do iu kthehet shuma e të hollave lëna në dorzani.

Në seancën e 11 marsit 2024,  prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu ka njoftuar se duke vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit e për shkak të ekonomizimit të procedurës penale, do të bëjë ndryshimin dhe precizimin e aktakuzës sipas fjalës përfundimtare të datës 26 maj 2022.

Po ashtu, sipas aktakuzës së precizuar, prokurorja tha se sipas ndryshimit të kualifikimit juridik: Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Izedin Mejzini dhe Naim Abrashi ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, par.2 dhe par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. Kurse, Besim Sylejmani, Sylë Sylejmani dhe Armend Ilazi ngarokhen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Tregti e ndaluar” nga neni 305, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndryshe, më 27 maj 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte rikualifikuar veprën penale nga krimi i organizuar në kryerjen e veprave penale kontrabandë me armë dhe tregti e ndaluar në bashkëkryerje.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 qershor 2022, kishte marrë aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim me armë dhe tregti të ndaluar Izedin Mjezini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, Naim Abrashi dhe Armend Iljazi, duke i dënuar me 20 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë (së bashku).

Kurse, Gjykata e Apelit më 5 maj 2023 e kishte kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj shtatë të akuzuarve.

Sipas precizimit të aktakuzës së 28 marsit 2024, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Izedin Mejzini dhe Naim Abrashi, më 21 mars 2019, në bashkëveprim kanë furnizuar e transportuar armë të llojit “Glock Austria” dhe “Sig Suer”, me qëllim për t’i shitur pa autorizim, sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Vesat Imeri paraprakisht ka siguruar 25 pako me armë dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë-Kosovë e pastaj sipas kërkesës së tij këto pako i pandehuri F.H., ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Ligjistik”  Milot Kukaj, me insistim të Izedin Mejzinit pronar i  kompanisë “Sim Logjistik” dhe në bashkëpunim me Abrashin, Kukaj i kishte marrë nga depoja në Fushë-Kosovë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e postës “Sim Logjistik” në Mazgit.

Aktakuza e precizuar thotë se më pastaj, të pandehurit Mejzini, Imeri, Gashi dhe Abrashi pasi koordinohen mes vete bëjnë ripaketimin e pakove duke i shpërndarë dhe futur nëpër pako të tjera armët në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik” me qëllim të shpërndarjes së tyre, ku gjatë kontrollit të deposë janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 99 armë të llojit “Glock Austria” dhe “Sig Suer” si dhe 723 fishekë të kalibrit të ndryshëm.

Me këtë, në bashkëkryerje ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 372, par.2 dhe par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së precizuar, të pandehurit Besim Sylejmani, Sylë Sylejmani dhe Armend Iljazi, nga periudha e panjohur e deri më 21 mars 2019, në bashkëveprim dhe në kundërshtim me Ligjin për shëndetësi, Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale dhe Udhëzimin Administrativ, kanë blerë dhe shitur produkte medicinale dhe atë barna me veprim të ndryshëm terapeutik, pa banderola, me banderola të Serbisë, si dhe me afat të skaduar, të cilat mallra sipas ligjit janë të kufizuara.

Në aktakuzën e precizuar thuhet se të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani medikamentet i kanë siguruar nga i akuzuari Armend Iljazi dhe nga një serb në veri të Mitrovicës. Aty thuhet se i pandehuri Besim më 21 mars 2019 i merr disa pako me medikamente në depon e postës Sim Logistik me veturën e tij e më pas takohet me të pandehurin Sylë në Prishtinë. Një pako me medikamente me qëllim të shitjes në barnatore të ndryshme në Prishtinë e vende tjera, thuhet se ia jep dhe e fut në veturën e tij, ku edhe janë ndarë.

Mirëpo, në aktakuzën e precizuar thuhet se të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e Policisë dhe janë ndalë, ku gjatë kontrollimit në veturat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar pako me medikamente, kurse gjatë kontrollimit në garazhin e banesës së të pandehurit Besim, janë gjetur dhe sekuestruar pako tjera me medikamente, vlera e të cilave është 23 mijë e 785 euro e 30 centë.

Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Tregti e ndaluar” nga neni 305, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. Kurse, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.

Ndryshe, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe F.H, por ndaj tij ka pushuar procedura pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës fillestare, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, F.H. dhe Naim Abrashi, thuhet se nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri më 21 mars 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” dhe “Tregtia e ndaluar”, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë e shitur mallra, për të cilat nuk kanë pasur autorizim, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.

Sipas PSRK-së, i pandehuri Vesat Imeri, fillimisht i ka siguruar 25 pako me armë të llojit Glock, Austria dhe Sig Suer, nga një person tani për tani i panjohur me nofkën “Doni”, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyrat e lokalit të tij në Fushë-Kosovë si dhe disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme, me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit Nexhip Gashi dhe Besim Sylejmani.

Prokuroria pretendon se pas disa ditësh, i pandehuri Vesat Imeri, sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H., punëtor në lokalin e tij në Fushë-Kosovë dhe i thotë që këto pako t’ia jepte personit që do të shkonte t’i merrte, ku edhe postieri i postës “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini, i kishte marrë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik”, në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri dhe Nexhip Gashi, i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.

Sipas kësaj aktakuze, Besim Sylejmani fillimisht shkon në depon e “Sim Logistik”, me veturën e tij, ku nga i pandehuri Naim Abrashi, menaxher i kompanisë i merr disa pako dhe takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, në lagjen “Ulpiana”, të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij “Opel Corsa”, ku edhe janë ndarë, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, në veturat e tyre u gjenden dhe konfiskohen pako me medikamente, e pastaj në garazhin e banesës së të pandehurit Besim në rrugën “Uran Ajeti” në lagjen Mati 1, i gjenden dhe konfiskohen edhe pako të tjera me medikamente.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollimit në depon e “Sim Logistik” në Mazgit, gjenden dhe konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, vlera e të cilave nuk dihet, si dhe një sasi medikamentesh, vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, është rreth 17 mijë euro.

Sipas aktit akuzues, po ashtu nga i pandehuri Armend Ilazi, të pandehurit Besim Sylejmani dhe Nexhip Gashi janë furnizuar me barna pa banderola, me qëllim që t’i shesin nëpër barnatore të ndryshme, në atë mënyrë që i dyshuar Armend Ilazi, barnat i ka siguruar nga Indire Mehmeti, farmaciste në barnatoren “Bio Pharm” në Ferizaj, e pastaj ua ka shpërndarë të pandehurve Besim dhe Nexhip, me këtë rast si pjesëmarrës të grupit kanë ushtruar veprimtari me qëllim të kryerjes së veprave penale për shkak të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

PSRK-ja pretendon se i pandehuri Vesat Imeri gjatë muajit mars të vitit 2019, i ka siguruar në mënyrë të panjohur 25 pako me armë dhe barna dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë-Kosovë, e pastaj sipas kërkesës së tij, këto pako i pandehuri F.H., ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini.

Gjithnjë sipas akuzës, më 10 dhe 15 mars 2019, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi dhe Naim Abrashi, pasi koordinohen mes vete, bëjnë ripaketimin e pakove të lartpërmendura duke i futur në pako armë dhe barna, në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik”, me pronar Izedin Mejzinin, e në të cilën punon edhe i pandehuri Naim Abrashi, me qëllim të shpërndarjes së tyre.

Sipas kësaj aktakuze, më 21 mars 2019, i pandehuri Besim Sylejmani, i merr disa pako me barna të llojit Tamol XX në depon “Sim Logistik”, e pastaj takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, të cilit ia jep një pako me barna me qëllim të shitjes së tyre nëpër barnatore të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera, mirëpo pasi që të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e policisë janë arrestuar, ndërkaq gjatë kontrollit të banesave dhe automjeteve të tyre, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barnave të lartpërmendura për shitjen e të cilave nuk kanë pasur autorizim.

Shpërndaje në: