Gërvalla i ankohet kongresistit amerikan: Ende asnjë pasojë ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë
Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, rreziku i destabilizimit të rajonit si pasojë e veprimeve të Serbisë dhe Rusisë si dhe angazhimi i Republikës së Kosovës për paqe dhe siguri, ishin në fokus të takimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me kongresistin republikan, Keith Self.
Gjatë këtij takimi, siç ka bërë të ditur MPJD-ja, Gërvalla e ka njoftuar kongresistin Self lidhur me kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.
Ajo gjithashtu ka përmendur faktin që ende nuk ka asnjë pasojë për Serbinë pas sulmit në Banjskë, sulmit ndaj KFOR-it dhe veprimeve të vazhdueshme agresive por edhe vendosmërinë e Republikës së Kosovës për t’i qëndruar besnike parimeve të saj.
Mes tjerash, teksa e ka njoftuar kongresistin Self për progresin e Republikës së Kosovës në shumë fusha, ministrja Gërvalla falënderoi ShBA-të për mbështetjen e vazhdueshme në çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.