Kodi civil, shamia në shkolla, Asociacioni: Këto janë 3 nyjet mbi tavolinën e Kurtit, për të cilat po rritet presioni politik e popullor
Kryeministri Albin Kurti, po përballet vazhdimisht me presion e kërkesa politike dhe popullore. Nëse nuk i përmendim problemet ekonomike, rritjen e çmimeve, rritjen e çmimit të rrymës, problemet me Sindikatat, janë disa çështje tjera të pazgjidhura, presioni për të cilat, po rritet nga dita në ditë.
Periskopi
Diskutimi i Asociacionit dhe zbatimi i marrëveshjes me Serbinë për këtë punë, janë ndër ato kërkesa politike që nuk janë të reja, por rifreskohen vazhdimisht si kërkesa – sidomos nga faktori ndërkombëtar.
Kësaj, iu shtua edhe Kodi Civil, i cili nuk ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, shkaku i nenit për martesat e seksit të njëjtë dhe vazhdon të rrijë pezull – pa miratim. Edhe për Kodin Civil, ka zhgënjim dhe thirrje nga bashkësia ndërkombëtare e poashtu edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, media e gazetarë. E gjithashtu, edhe kërkesa për shamitë në shkolla.
1.ASOCIACIONI: Tash e 11 vjet mbetet një nga temat më të përfolura në Kosovë. Ani pse pas 11 vitesh çdo ditë e më shumë ekspontet të fuqishëm të politikës ndërkombëtare, po kërkojnë që Kosova ta zbatoj marrëveshjen e 2013-ës e cila u negociua edhe në vitin 2015.
Një nga ta është edhe përfaqësuesi BE-së për Politikë të Jashtem dhe Siguri, Jose Borrell. Ai ka kërkuar vazhdimisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë. Kjo, pasi që, sipas tij një marrëveshje e këtillë është arritur më 2013-ën në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti filloi edhe të përmendte fjalën “luftë”, pas tensioneve në veriun e Kosovës vitin e kaluar. E këto deklarata të Kurtit, ishin vlerësuar si përgatitje të popullit për themelimin e Asociaionit.
2. KODI CIVIL: Para se Kodi Civil të dërgohej për votim në Kuvendin e Kosovës, BE e ‘detyronte’ Kosovën që të miratohej ky Projekt – Kod Civil.
Në një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili ka thënë se do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe deputetëve krijimi i Kodit Civil dhe sigurimi i zbatimit të tij, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se ky është një dokument i rëndësishëm për miratimin e të cilit duhet të bashkëpunojnë pozita dhe opozita.
Megjithkëtë, me 28 vota për 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.
Në memorandumin shpjegues të Projektkodit Civil thuhet se qëllimi i tij është rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile materiale. Sipas memorandumit shpjegues, miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për rregullimin parimor dhe material të së drejtës civile si dhe në thjeshtësimin e zbatimit të së drejtës civile nga autoritetet gjegjëse.
Këtu vlen të theksohet, mënyra se si kryeministri Kurti zgjedh të përmend, një ndër projektligjet më të rëndësishme në vend. Kurti vazhdimisht kritikohet për qasjen që ka ndaj këtij projektligji, pasi i njëjti zgjedh që për këtë, të shkruaj në gjuhën angleze në rrjetin social ‘X’, e jo në Facebook, ku pjesa dërmuese e popullit tonë përdorin këtë të dytën.
3.SHAMIA NË SHKOLLA:
Mbi 10 mijë komente të njëjta ishin bërë në njërin prej postimeve të fundit të kryeministrit Kurti në Facebook, ku ai kishte njoftuar për kalimin e rregullores së re të Kuvendit të Kosovës. Këto komente, kanë të njëjtën përmbajtje me ‘hashtagun’ që bën thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shaminë – njëherit, një premtim i vitit 2017 i Albin Kurtit.
Kjo kampanjë, ishte nisur nga Durim Berisha (ish-këshilltar i Kurtit) dhe Liridon Kurti, të cilët kërkojnë ndryshimin e nenit 3 në Udhëzimin e miratuar në bitin 2014, që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.
Periskopi në atëkohë kishte pyetur Ministrinë e Arsimit, gjegjësisht, zëvendësministrin z.Dukagjin Pupovci.
“E kemi pranuar kërkesën formale dhe jemi duke e shqyrtuar. Kaq mund të them për momentin”, kishte thënë shkurt z.Pupovci për Periskopin.
Derisa ende nuk dihet se kur Ministria e Arsimit do të dalë me një qëndrim konkret lidhur me këtë kërkesë të një pjese të konsiderueshme të popullit, ideja e tillë po has në kundërshtim nga figura të njohura në vendin tonë.
Kujtojmë se edhe Bashkësia Islame e Kosovës, me të nisur kjo fushatë, kishte ripërsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës, për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ
Në fund vlen të theksohet se në tavolinën e kryeministrit Kurti, ishte edhe tema e Manastirit të Deçanit. Pas presionit të madh ndërkombëtarë, Kurti në fund ‘lëshoi pe’ ku edhe dha urdhër që t’i jepen pronat Manastirit të Deçanit. /Periskopi/