VIT ZGJEDHOR| Haram djersën, mundin, sakrificën – Këto janë disa nga dorëheqjet prekëse të aktivistëve të zhgënjyer të VV-së deri tani
I ka ardhur pothuajse fundi i mandatit qeverisë së re që Kosova zgjodhi Albin Kurtin si kryeministër. Një kontribut bukur të madh për fitimin e zgjedhjeve e japin pa dyshim aktivistë të partive, të cilët angazhohen me punë të shumta që kryetari e partia të dalin sa më mirë të jetë e mundur. Me qeverinë Kurti duket se disa aktivistë janë të zhgënjyer me punën që kryetari i tyre, Albin Kurti, e bëri në pushtet, madje ka edhe prej tyre që kanë dhënë dorëheqje nga pozita e aktivistit.
Periskopi
Blerim Saramati, një anëtar për kohë të gjatë i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka dhënë dorëheqje nga subjekti politik, për shkak të pakënaqësive që ai i ka renditur nëpërmjet një shkrimi në Facebook.
Ai ka thënë se brengat dhe pakënaqësitë e tij i ka adresuar edhe në strukturat lokale dhe qendrore të partisë, por përpos që s’janë marrë parsysh, Saramati ka thënë se edhe është anatemuar e sulmuar.
“Grupet e caktuara, Kryesia e Qendrës në Prizren dhe Kryesia Qendrore në Prishtinë e kanë “haram” gjithë djersën, mundin, sakrificën dhe aktivitetin tim”, ka shkuar Saramati në letrën e tij të dorëheqjes.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2007, i cili ishte pjesëmarrës në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kishte thënë se do ta shqyejë librezën e Vetëvendosjes.
Derisa po protestonte, ai thotë se është shumë i zhgënjyer me kryeministrin Kurti.
“Unë jam aktivist i VV-së prej 2007 i plagosen prej Rumunëve, dhe tash kam me ja gju librezën dhe nuk e kena prit zhgënjimin e tij. Këtu jemi ballafaquar me rumunët dhe me kanë plagosur dhe jam shumë i zhgënjyer prej Albin Kurtit”, tha ai.
Edhe nga publikimi i shpenzimeve të naftës nga deputetët e Kuvendit ka nxitur reagime të shumta. Një nga ata që është dëshpëruar shumë me disa nga emrat që shpenzuan shuma të mëdha për naftë është aktivisti i Vetëvendosjes, Valmir Ajeti.
Ai është shprehur i zhgënjyer që në listën e atyre që mbushën veturat e tyre me para të shtetit janë edhe emra të LVV-së
“Zhgënjyse e demoralizim me pa emra të LVV në atë listë.Astrit, na fal!”, ka shkruar aktivisti i VV-së.
Edhe një aktivist tjetër i VV-së në Prizren ishte irrituar me vizitën e kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca tek biznesi “Abi Çarshia” në Prizren në vitin 2022.
Sipas aktivistit të VV-së, pronarët e Abi Çarshisë janë oligarkë dhe ndër vite e kanë monopolizuar ekonominë e Prizrenit dhe janë rritur e zhvilluar duke i shërbyer ish-presidentit Hashim Thaçi, thotë ai.
“Në vend se të vizitohen aktivistët, vizitohet oligarku. Për çfarë? Për ta falënderuar që ka punuar ditë e natë për ta humbur pushtetin Lëvizja?! Për t’i kërkuar falje?! Si t’i kërkojmë falje?!”, ishte shprehur atëkohë aktivisti Flugaj.
Ai shpreson se kryeministri e kryeparlamentari janë vënë në lajthitje, e kanë përfunduar aksidentalisht në këtë objekt. “Nëse është kështu, atëherë duhet të ketë pasoja për ndërmjetësuesin. Kushdo që i ka vënë në lajthitje, duhet të ketë pasoja”, thotë ai.
“Nuk mund të shtiresh se nuk e ke vizituar këtë objekt. Prandaj, edhe pasojat janë të domosdoshme. Çdo gjë ka pasoja. Edhe fjalët, edhe heshtja. Edhe veprimet, edhe mosveprimet”, përfundon Flugaj.
Së fundmi edhe një aktivist tjetër i VV-së nga Mitrovica u bë viral pasi djegu kartelën e anëtarësimit.
“Edhe unë si qytetar i Mitrovicës së Jugut kam menduar se do ketë ndryshime por si po shihet nuk do ketë ndryshime. Paga të vogla ngritje çmimesh Rryma 104% Shporta familjes e rënduar pensione të vogla. Qeveria e Kosovës thotë se ka rrezik për luftë. Gëzuar 1 Maji pa Vetëvendosjen, Albanologj. Rrena, Mashtrime,e çka tjetër”, kishte deklaruar ai për Insajderin.
Arsim Musa ka dërguar edhe pamje nga kartela e djegur:
Këta janë vetëm disa nga aktivistë të cilët janë të zhgënjyer me qeverinë e re të Republikës së Kosovës, përndryshe ka edhe shumë prej tyre që janë zhgënjyer me qeverinë e Kurtit, e cila pavarësisht se gjatë fushatës ka bërë thirrje për ndalimin e nepotizmit, ajo prapë ka vazhduar avazin e qeverive tjera. /Periskopi/