Vrasja në Dujakë të Gjakovës, refuzohen propozimet e mbrojtjes për dy ekspertiza dhe dalje në vendshikim

Vrasja në Dujakë të Gjakovës, refuzohen propozimet e mbrojtjes për dy ekspertiza dhe dalje në vendshikim

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Shpejtim Knushi për vrasjen e tani të ndjerit M.J., janë refuzuar propozimet e mbrojtësit për ekspertizë psikiatrike të akuzuarit, daljen në vendshikim dhe super-ekspertizës mjekoligjore.

I akuzuari Knushi, në këtë rast po ngarkohet se ka vrarë M.J., pas një mosmarrëveshje për heqjen e kabllos elektrike nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Knushi, avokati Nderc Dodaj, me anë të parashtresës kishte propozuar që gjykata së bashku me palët tjera në procedurë të dalin në vendin e ngjarjes, si dhe dërgimin e të akuzuarit Knushi në ekzaminim psikiatrik, për të vërtetuar gjendjen e tij mendore kur ishte takuar me viktimën e deri në momentin e gjuajtjes me armë.

Lidhur me këto propozime prokurorja Arditja Beqiraj, me shkrim dhe në seancë ka deklaruar se sa i përket propozimit të parë për dalje në vendshikim, ia la në vlerësim gjykatës, ndërsa propozimin për ekzaminimin psikiatrik të akuzuarit e kundërshtoi duke thënë se nuk ka ndonjë provë material që e vërteton se i njëjti ka dhe kishte ndonjë problem psikik.

“Pretendimi i mbrojtjes për vërtetim të faktit se i njëjti ka pasur tronditje mendore apo shqetësim, frikë nga sulmi eventual, këtë fakt apo këtë rrethanë nuk kemi mundur ta vërtetojmë as gjatë hetimeve dhe po ashtu duke pasur parasysh fazën e shqyrtimit ku gjendemi tani, më asnjë provë nuk është vërtetuar se i pandehuri ka qenë apo është ekspozuar para një situatë të tillë dhe në këtë bazë i kemi propozuar gjykatës së propozimi i dytë të refuzohet”, tha prokurorja Beqiraj.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, avokati Korab Bokshi, ka kundërshtuar propozimet e mbrojtësit të akuzuarit, me arsyetim se në shkresa të lëndës ekziston raporti i shikimit të vendit të ngjarjes, ndërsa lidhur me propozimin e dytë tha se është një përpjekje më shumë për t’ju shmangur përgjegjësisë penale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Knushi, avokati Ndrec Dodaj, kishte edhe një propozim tjetër, që dy akt-ekspertimet mjekoligjore të dërgohen për një super-ekspertize, që të merret mendimi i ekspertëve të tjerë lidhur me shkakun e vërtetë të vdekjes së tani të ndjerit M.J.

Mbrojtësi Dodaj, me propozimin e tij për supërekspertizë, sqaroi rrethanat se me të do të provohej se vdekja e tani të ndjerit a kishte ardhur nga infeksioni i marrë pas operacionit të dytë, apo mos vetkujdesit të tani të ndjerit.

Sipas tij, nga fletëlëshimi i spitalit ku kishte dalë herën e parë tani i ndjeri ishte në gjendje të rregullt, stabile pa rrezik për jetë.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Beqiraj, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Bokshi.

Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, mori vendim që të refuzohen propozimet e mbrojtësit të akuzuarit Knushi, avokatit Dodaj, me arsyetim se për daljen në vendshikim mbrojtja nuk kishte dhënë arsyet e mjaftueshme.

Ndërsa, refuzimin për ekzaminim psikiatrik gjyqtari Sharraxhiu tha se në shkresa të lëndës nuk ka ndonjë provë që i njëjti në të kaluarën të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje mendore, si dhe refuzimin për super-ekspertizë, gjyqtari tha se në shkresa të lëndës janë dy ekspertiza mjeko-ligjore në të cilat nuk ka kundërthënie në mes vete.

Më pas seanca u ndërpre për të vazhduar për një datë tjetër me leximin e provave si dhe mbrojtjen e të akuzuarit, pasi që ky i fundit nuk ishte në gjendje që sot ta jap mbrojtjen e tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri Shpejtim Knushi, ngarkohet se më 4 korrik 2022, rreth orës 21:20, në fshatin Dujakë Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.

Sipas aktakuzës, shkaku u vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kabllo elektrikë nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë.

Pas fjalosjes mes vete në një moment i pandehuri kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 metrash, shtënë fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.

Për këto ai ngarkohet për veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

 

Shpërndaje në: