Rama me kryediplomatin britanik Cameron për normalizimin Kosovë-Serbi: Dihet edhe rreziku për kthim prapa
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim në Tiranë, Sekretarin e Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron.
Temë diskutimi kishte qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi ku kryeministri shqiptar Rama theksoi dhe lëvdoi angazhimin britanik drejt normalizimit me sukses të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por e theksoi edhe rrezikun e vazhdueshëm të prapakthimit.
“Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të pajtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë, por ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi dihet edhe rreziku i kthimit mbrapa”, tha Rama.