“Po bëjmë përpjekje për të shtrirë sovranitetin”- Haxhiu fton ndërkombëtarët t’i përkrahin aksionet në Veri
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar mbështetje dhe përkrahje nga ndërkombëtarët në aksione që kanë për qëllim shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
Pas reagimeve të ndërkombëtarëve në lidhje me aksionet e fundit në veri të vendit, Haxhiu ka thënë se aksione të tilla kanë për synim mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.
Madje, ajo ka thënë se për ta bërë këtë, duhet angazhim dhe përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ka thënë se veprimet ilegale nuk do të lejohen.
“Me thënë të drejtën në kemi përcjellë natyrisht me vëmendje të gjitha zhvillimet të cilat kanë ndodhur si përpjekje për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial në veriun e vendit. Ka pasur edhe dje një veprim institucional nga ana e institucioneve përgjegjëse me qëllim të zbatimit të ligjit dhe zbatimit të rregullores nga ana e BQK-së”.
“Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj edhe besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit ligjit më çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje. Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen”, ka thënë Haxhiu pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 25-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës.