Deputeti i PDK-së: Kemi diskutime me partitë e tjera opozitare për shpërndarjen e Kuvendit, Kurtit nuk i besojmë
Që nga dështimi nga ana e qeverisë Kurti për ta anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës, partitë opozitare po kërkojnë që kryeministri Kurti të jap dorëheqje, në mënyrë që të shpërndahet Kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa në një prononcim për Periskopin e konfirmoi se si parti janë në diskutim me partitë tjera opozitare për ta bërë numrin, shkruan Periskopi.
“Ka diskutime mes deputeteve, por nuk kena pa interesim te deputetët e mazhorancës për me shpërnda kuvendin. Për tu bërë një veprim i tillë, normal që duhet një koordinim edhe një dakordat edhe me subjektet e tjera politike opozitare, po edhe të mazhorancës. Në këtë rast zoti Kurti ka deklaru që unë jom i gatshëm ta ndihmoj opozitën për me shpërnda parlamentin, por nuk besoj që është i sinqertë në atë çka e thotë tu i bazu te ato qka i ka thanë deri më tani”, tha Beqa për Periskopin.
Tutje, ai thotë se është në interes të vendit të shkojmë në zgjedhje në datat që janë propozuar nga PDK, me 23 qeshor, 30 qeshor apo 7 korrik.
“Nuk o tema koalicioni, ne po flasim për me qu një qeveri n’shpi edhe me ardh një qeveri e përgjegjshme, kredibile, me integritet, me kryeminister të ri Bedri Hamza, dhe nuk jon tem koalicionet, tani është temë shpërndarja e parlamentit, ose rrëzimi i qeverisë”. shtoi ai.
Kujtojmë se, kryeministri Albin Kurti dhe kreu i partisë opozitare, Memli Krasniqi janë takuar me 13 Maj, ku si agjendë e diskutimit gjatë takimit ka qenë për mbajtjen e zgjedhjeve.