Qeveria e Kosovës i reagon BE-së: I thotë se “po mashtron”

Qeveria e Kosovës i reagon BE-së: I thotë se “po mashtron”

“Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

Kjo ishte një pjesë e deklaratës së sotme të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas aksionit të djeshëm të institucioneve të Kosovës në veri, ku u mbyllën 6 filiale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë.

E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka quajtur “mashtruese” këtë deklaratë.

“Sugjerimi i Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) në deklaratën e sotme që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe zgjidhen përmes Asociacionit, është një paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar ndonjëherë të ishte”, tha Kryeziu përmes një reagimi në X, shkruan Klankosova.tv

Ai tha se Asociacioni nuk është i menduar si “një ombrellë për legalizimin e strukturave të krijuara në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme”.

“Fatkeqësisht, deklarata vetëm validon destruktivitetin e Serbisë përgjatë gjithë dialogut, veçanërisht në takimet e fundit në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore për operacionet me para në Kosovë – të cilat kanë dështuar saktësisht për shkak të qëndrimit të Serbisë, i cili shkon kundër vetë propozimit të BE-së”, tha ndër të tjera Kryeziu.

Ai tha se sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si sjellje përshkallëzuese.

“Është ironike që BE-ja të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Bashkimi Evropian ishte i ashpër në reagimin e tij ndaj aksionit të djeshëm të institucioneve të Kosovës në veri.

Në reagim u tha se veprimi i mbylljes së gjashtë filialeve të bankës ishte përshkallëzues dhe se i njëjti bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se ai minon mirëbesimin e Prishtinës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut.

“Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”.

“Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”, thuhet në reagimin e BE-së.

Blloku evropian thekson se operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj.

“Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

“BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga Lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, u tha në reagimin e BE-së.

Shpërndaje në: