IPK rekomandon suspendimin e tre punonjësve të policisë, njëri dyshohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, dy për “Sulm”
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në dy raste të ndryshme ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të policisë.
Në rastin e parë është rekomanduar suspendimi i një punonjësi të Policisë, staf civil pa autorizime policore, pasi dyshohet se e ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Ai dyshohet se ka hyrë në bazën e të dhënave të policisë dhe e ka bërë verifikimin e një personi që dyshohet për “Dhunë në familje” e më pas i ka dhënë informacione mediave për të kaluarën kriminale të të dyshuarit.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se stafi civil gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kishte hyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës dhe kishte bërë verifikimin e një personi që dyshohet se kishte kryer dhunë në familje. Rasti për të cilin kishte kërkuar zyrtari nuk kishte ndodhur në territorin ku kompetent ishte stacioni policor i Fushë Kosovës. Hetuesit e IPK-së dyshojnë se ky zyrtar, pas këtij verifikimi, ju kishte dhënë informacion mediave lidhur më të kaluarën kriminale të dyshuarit për dhunë në familje dhe me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.”
Ndërsa në rastin e dytë është rekomanduar suspendimi i dy punonjësve, njëri zyrtar policor dhe tjetri staf civil, që kanë qenë duke shërbuer në stacionin policor në Lipjan.
Ata janë suspenduar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm” pas një mosmarrëveshje që të njëjtit kishin pasur mes njëri tjetrit.
“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtyre dy rasteve.”