Abdixhiku për qeverinë Kurti: Çfarëdo që shihni është mashtrim – hajni e paprecedentë
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, duke thënë se manipulon me të gjitha statistikat që prezanton, ashtu siç i konvenon. Abdixhiku ka thënë se është i habitur sa hapur “mashtrojnë” nga kjo qeveri.
Përveç akuzave për mashtrim, Abdixhiku ka thënë se në historinë e Kosovës nuk ka pasur “hajni të paprecedentë” sa tash, kur në pushtet është Kurti. Sipas tij, çkado që prezanton Qeveria, është pjesë e një skeme mashtruese.
“I ki 250 milionë euro tendera njëburimorë, gjithë sistemi e njerëzit e tij…Hajni e paprecedentë najherë në histori të Kosovës. Asnjë gjë që e shihni nuk është e vërtetë, gjithçka është pjesë e një skeme mashtruese…Gjithçka që shihni është propagandë e pastër, manipuluese, me vetëdije të plotë. Çfarëdo argumenti që shihni, dije që është propagandë. Nuk mundem me besu sa hapur mashtrojnë. ”, ka deklaruar Abdixhiku në Pressing të T7.
Ai ka marrë shembull deklaratat për vendet e reja të punës, derisa ka shtuar se zyrtarët e qeverisë marrin për krahasim vitin që u konvenon më shumë, herë kur kanë qenë në qeveri e herë opozitë.
“Del para dy dite edhe thotë 90 mijë vende të punës janë kriju, edhe s’del kërkush me thanë mashtrim o kjo, mos mashtro. Pse po e merr vitin 2019, nuk je kanë mos mashtro. Kur i konvenon e merr 2020, kur thotë rritja ekonomike nuk e merr 2020 se është minus. Ai bën manovrime të tilla që me dal ma mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Duke folur për projektet e fundit infrastrukturore që po u jep jehonë qeveria, Abdixhiku ka thënë se kjo është puna më e lehtë.
“Vitin e katërt, katër vjet qeveri, me nis diçka me kry punë është dështim spektakolar. S’është kurgjë me i përfundu rrugët, është puna më e lehtë sepse s’je tu dërgu njerëz në Hanë. Shtrimi i rrugëve është diçka që Kosova e ka perfeksionu, se ka ndërtu shumë”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për sektorin e shëndetësisë, ku ka thënë se në shumë Qendra të Mjekësisë Familjare, nuk ka barna për trajtimin e fëmijëve me tuberkuloz dhe se fëmija duhet të ndajnë dozën me njëri-tjetrin.
“Sa i përket shëndetësisë, nëse reforma shëndetësore mirret e matet me meremetime, na jemi të shokuar. Katër vjet, asnjë hap konkret në shëndetësi, as reform shëndetësore, as spital të ri, as sigurime shëndetësore as sistem informativ. Lista e pritjes vazhdon me qenë po aq e gjatë sa ka qenë. Fëmijët nëpër qendrat e mjekësisë familjare me tuberkuloz, nuk kanë barna për tuberkuloz nëpër qendrat e Kosovës. Këtë e di sepse jam duke I vizitu. Duhet me nda dozën fëmija me fëminë, prindi me prind sepse s’ka furnizime të mjaftueshme nëpër plot qendra të mjekësisë familjare, viti 2024”.
Sipas tij, jeta e qytetarëve është rënduar gjatë qeverisjes së Kurtit.
“Flet për zhvillim, përmirësim, por jeta e qytetarëve është e qartë, është e rëndë, është e zymtë”, ka thënë Abdixhiku.