Një i vdekur e 30 të lënduar gjatë turbulencave në një fluturim Londër – Singapor
Një pasagjer vdiq dhe 30 të tjerë u lënduan, pasi një fluturim i kompanisë “Singapore Airlines” nga Londra u godit nga turbulenca të fuqishme të martën, duke e detyruar aeroplanin që të bënte aterrim urgjent në Bangkok të Tajlandës, thanë disa zyrtarë dhe kompania ajrore.
“Singapore Airlines ia ofron ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit. Ne kërkojmë falje thellësisht për përvojën traumatike që e pësuan pasagjerët tanë dhe anëtarët e ekuipazhit në këtë fluturim” – tha kompania ajrore, duke shtuar se ishte duke punuar me autoritetet tajlandeze për ta ofruar tërë asistencën e nevojshme, raporton agjencia “Reuters”.
Drejtori i aeroportit ku aterroi aeroplani tha se një pasagjer i gjinisë mashkullore ka vdekur. Kompania ajrore tha se 18 persona janë hospitalizuar, ndërsa 12 të tjerë po trajtohen në spitale.
Një pasagjer që ndodhej në aeroplan i tha agjencisë “Reuters” se në incident u përfshi ndjenja e ngritjes dhe rënies.