A do të sjellë vdekja e Raisit ndryshime në politikën e Iranit?

A do të sjellë vdekja e Raisit ndryshime në politikën e Iranit?

Vdekja e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, në një aksident ajror shkaktoi tronditje në mbarë Republikën Islamike dhe rajonin më gjerë.

Megjithatë, ajo nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në politikat e brendshme dhe të jashtme të Teheranit, thonë ekspertët.

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili e ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet kryesore shtetërore, dhe Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike janë qendrat kryesore të pushtetit në Iran, ku autoriteti i presidentit është i kufizuar.

“Vdekja e Raisit, në vetvete, nuk do të shkaktojë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat e Iranit”, thotë Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

“Presidenti është i dyti në komandë në hierarkinë e pushtetit të Republikës Islamike dhe udhëzimet strategjike i jep udhëheqësi suprem”, shpjegon ai.

Si president, Raisi mbikëqyri një shtypje brutale të protestave kundër establishmentit në vitin 2022, si dhe shtrëngimin e të ashtuquajturave ‘ligje të moralit’.

Pasojë reale e vdekjes së presidentit ultra-konservator, sipas ekspertëve, mund të jetë lufta për pushtet midis forcave të vijës së ashpër të vendit.

Vdekja e tij mund t’i komplikojë edhe planet pasardhëse të Khameneit, pasi thuhej se ai do të bëhej udhëheqësi i ardhshëm suprem.

Raisi, ish-shef i gjyqësorit, ishte mbështetës i madh i Khameneit, ndërsa ky i fundit besohej se po e përgatiste atë si pasardhës të vetin.

Sanam Vakil, drejtore e Programit të Lindjes së Mesme në Institutin Chatham House në Londër, thotë se Raisi “ishte i përshtatshëm” për këtë detyrë. Sipas saj, ai, madje, e modeloi jetën e tij sipas udhëheqësit suprem 85-vjeçar.

“[Raisi] ishte një funksionar besnik, i gatshëm për ta marrë pozitën e liderit suprem. Nuk duket se ka kandidatë të tjerë aq të përshtatshëm”, thotë ajo.

Sidoqoftë, vdekja e Raisit la një vend bosh për t’u mbushur. Me ligjin iranian, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 50 ditësh – kohë gjatë së cilës institucioni klerik do të përpiqet të gjejë një zëvendësues të përshtatshëm.

Tash për tash, kandidatë janë kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, dhe shefi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei.

Azizi thotë se presidenti i ardhshëm mund të ketë “ndikim të rëndësishëm në trajektoren e përgjithshme” të pasardhësit të Khameneit.

“Si rezultat, kjo do të çojë në rritjen e konkurrencës ndërkonservatore për t’u bërë president”, përfundon ai./rel

Shpërndaje në: