Me kërkesë të prokurores, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait të tij
Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesën e prokurorit të shtetit është shtyrë gjykimi ku Millorad Shubariq po akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli, bëri të ditur se prokurorja ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në këtë shqyrtim gjyqësor, pasi që në të njëjtën kohë gjendet në një seancë tjetër në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu e njëjta bëri të ditur se është anuluar edhe urdhëresa për sjelljen e të akuzuarit në seancë për shkak të mos shkaktimit të shpenzimeve procedurale.
Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh. dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Me këtë i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.