Publikohen pamjet e para nga vendi i rrëzimit të helikopterit ku ndodhej Ebrahim Raisi
Pasi mediat iraniane dhe njësitë speciale të shpëtimit njoftuan se Presidenti Ebrahim Raisi, Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe pjesa tjetër e delegacionit u vranë në një aksident me helikopter, agjencitë në Iran publikuan fotot dhe videot e para nga vendi i rrëzimit.
Sipas asaj që shihet nga video e regjistruar nga ajri, helikopteri është rrëzuar në një zonë tejet të vështirë malore, ndërsa ekipeve të shpëtimit iu deshën orë të tëra për të mbërritur te delegacioni që ndodhej në helikopter.
Informacioni i parë që u bë i ditur ishte se në vendin e aksidentit nuk u gjet asnjë me shenja jete.
“Zbulimi i vendit të aksidentit nuk zbuloi shenja jete në mesin e pasagjerëve të helikopterit”, tha kreu i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, Pir Hossein Kolivand.
Fotot e publikuara nga mediat iraniane tregojnë se helikopteri me shumë gjasa ka marrë flakë kur ka rënë.
Kujtojmë se një delegacion iranian i kryesuar nga presidenti dhe shefi i diplomacisë vizitoi të dielën Azerbajxhanin, ku morën pjesë në hapjen e një projekti ndërshtetëror dhe një prej digave më të mëdha në këtë pjesë të botës.