Vrau policin në Fier, vetëdorëzohet pas dy ditësh kërkime autori i krimit, Azgan Mërnica
Dy ditë pas vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, në orët e vona të kësaj të mërkure (15 maj) është dorëzuar në polici, autori i krimit, shtetasi Azgan Mërnica
Cenalia, efektiv i forcave “Shqiponja”, u vra mesditën e të hënës në fshatin Baltëz të Fierit nga 23-vjeçari Mërnica.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti se kush kishte të drejtën për të kaluar me makinë në rrugën e fshatit.
Të dy debatuan me fjalë e më pas dolën nga mjetet përkatëse. Në këtë moment, Azgan Mërnica qëlloi me 1 plumb pistolete në kokë efektivin që po shkonte në punë të merrte shërbimin.
Prokuroria e Fierit regjistron procedim penal për dy vepra!
Dy ditë pas vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, Prokuroria e këtij qyteti ka regjistruar procedim penal për dy vepra, penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi A. M., i datëlindjes 15.06.2001, lindur në Fier dhe banues në Sulaj, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.
NGJARJA
Akti i rëndë ndodhi mesditën e 13 majit, teksa i riu Novruz Cenalia, sapo kishte marrë rrugën në drejtim të punës. Ai ishte i veshur me rroba policie, por fati i keq e ka përballur në rrugë me të riun Azgan Mernica.
Dyshohet se mes tyre ka patur një sherr për përparësinë e kalimit në një rrugë të ngushtë që ndodhej në fshatin Baltëz të Fierit, zonë në të cilën banonte familja Cenalia prej shumë vitesh. Efektivi i forcave ‘Shqiponja’ ka debatuar me të riun që vinte nga një fshat tjetër, por që kalonte nëpër Baltëz, por ai është larguar pak, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në kokë, duke i marrë jetën.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes pas telefonatës së banorëve të zonës, ndërsa, i ati i Policit, gjendej në sallën operative të drejtorisë së Policisë së Fierit. Autori, një djalë vetëm 23 vjeç është larguar menjëherë me makinën e tij, një mjet tip ‘Audi’, e ka braktisur atë për tu fshehur.