Biden dhe Trump pajtohen për dy debate zgjedhore

Biden dhe Trump pajtohen për dy debate zgjedhore

Presidenti i amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump, janë pajtuar të mërkurën për t’i mbajtur dy debate zgjedhore në qershor dhe në shtator.

I pari do të mbahet më 27 qershor në televizionin CNN, ndërsa i dyti më 10 shtator në transmetuesin ABC.

Marrëveshja e shpejtë mes tyre vjen pasi Biden, demokrat, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në debate zgjedhore që sponsorizohen nga komisionin jopartiak, i cili ka më shumë se tre dekada që i organizon ato.

Fushata e Bidenit propozoi që debatet mes tij dhe kandidatit të supozuar republikan të organizohen drejtpërdrejt nga mediat, dhe që debati i parë të mbahet në fund të qershorit dhe i dyti në shtator.

Trumpi tha në rrjetin e vet social, Truth Social, se është i “gatshëm dhe dakord për debat” me Bidenin në kohët e propozuara.

Disa orë më vonë, Biden tha se e ka pranuar ftesën e CNN-it për një debat më 27 qershor, duke shtuar: “Urdhëro, Donald. Siç thatë: kudo, në çfarëdo kohe, në çfarëdo vendi”.

Trumpi tha për Fox News Digital se e ka pranuar ftesën: “Do të jem aty”.

Por, palët duket se kanë mospajtime të mëdha rreth çështjeve kyçe për mënyrën e organizimit të debateve, përfshirë rreth pajtimit për moderatorët dhe rregullat. Çështje të tilla e kishin nxitur krijimin e komisionit për debatet presidenciale më 1987.

Shpërndaje në: