Dënohen me 12 vite e 3 muaj burgim dhe mbi 23 mijë euro gjobë gjashtë të akuzuarit për shpëlarje e 125 mijë eurove

Dënohen me 12 vite e 3 muaj burgim dhe mbi 23 mijë euro gjobë gjashtë të akuzuarit për shpëlarje e 125 mijë eurove

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me  12 vite e 3 muaj burgim dhe 23 mijë e 600 euro gjobë të akuzuarit Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove dhe vepra tjera penale.

Aktgjykimi në fjalë u shpall nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Laçi për veprën penale shpëlarje e parave u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Ndërsa, i akuzuari Reka për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale u dënua me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale shpëlarje e parave u dënua me 1 vite e 6 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë andaj të njëjtit iu shqiptua dënimi unik me burgim prej 2 vite e 3 muaj dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

I akuzuari Limaj për veprën penale shpëlarje e parave u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Kurse, i akuzuari Orana për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale u dënua me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale shpëlarje e parave u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë dhe për veprën penale të armëmbajtjes u dënua me 800 gjobë. Të njëjtit iu shqiptua dënim unik prej 2 vite e 3 muaj burgim dhe 4 mijë e 300 euro gjobë.

I akuzuari Qukovci për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale u dënua me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale shpëlarje e parave u dënua me 1 vit e 6 muaj dhe 3 mijë e 500 euro gjobë. Ndaj tij gjykata shqiptoi dënim unik 2 vite e 3 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Po ashtu, edhe i akuzuari Sllmaniku për veprën penale shpëlarje të parave u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe 4 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa për veprën penale armëmbajtje u dënua me 800 euro gjobë. Ndaj të njëjtit u shqiptua dënim unik prej 2 vite e 6 muaj burgim dhe 5 mijë e 300 euro gjobë.

Gjykatësi Konxheli tha se të lartcekurve koha e qëndrimit në paraburgim do tu llogaritet në dënimin e shqiptuar, ndërsa pjesa e tjetër e mbetur e dënimit me burg do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu të njëjtit obligohen që secili veç e veç të paguajnë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave të krimit shumën prej 100 euro secili veç e veç.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarve u konfiskuan në mënyrë të përhershme mjetet e sekuestruara.

Palët e pa kënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të të njëjtit.

Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpëlarje të parasë”. Të akuzuarit Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: