Zelensky i thotë Blinkenit se Ukraina ka nevojë urgjente për mbrojtje ajrore, ia kërkon edhe “Patriotët”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i tha Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken se vendi i tij ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje ajrore, pasi përballet me sulme të shtuara nga Rusia në lindje.
“Mbrojtja ajrore (është) deficiti më i madh për ne. Mendoj se problemi më i madh është … sot na duhen vërtet dy Patriotë për rajonin e Kharkivit sepse ka njerëz të sulmuar: civilë dhe luftëtarë. Të gjithë. Ata janë nën raketat ruse”, u tha Zelensky gazetarëve përpara takimit të tij me Blinken.
Instituti për Studimin e Luftës në Uashington tha muajin e kaluar se sulmet me raketa dhe avionë rusë kundër Ukrainës janë bërë shumë më efektive në muajt e fundit, edhe pse nuk ka pasur rritje dramatike në madhësinë apo frekuencën e tyre, raporton CNN, transmeton Klankosova.
“Në vend të kësaj, forcat ruse po shfrytëzojnë degradimin e ombrellës së mbrojtjes ajrore të Ukrainës, të shkaktuar nga vonesat e vazhdueshme në ndihmën e sigurisë perëndimore dhe duket se po përdorin përshtatje taktike që rrjedhin nga përpjekjet disamujore ruse për të testuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, tha në një raport grupi me bazë në Uashington.