Kushtëzimi i Kosovës për KiE, Krasniqi thotë se disa shteteve evropiane s’u intereson fuqizimi i komuniteteve joshumicë
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë prandaj me këtë kushtëzim sipas tij shtetet evropiane treguan se s’u intereson fuqizimi i komuniteteve në Kosovë.
“Me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”.
Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka potencuar se kërkesa e Gjermanisë dhe Francës që draft statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese është “sinjal shumë i keq”.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë”, ka shkruar ai.