Bislimi në Budapest, flet për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në qëndrimin e tij në Budapest ishte i ftuar në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), ku ligjëroi dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të institutit e ku pjesëmarrës në audiencë ishin edhe diplomatë, njohës të çështjeve ndërkombëtare e studentë.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë fjalës së tij hyrëse, Bislimi përmendi shkallën e uljes së papunësisë në vend si dhe rritjen ekonomike.
Ai është shprehur se regjistrimi i popullsisë i cili po zhvillohet është i rëndësishëm për pajisjen me të dhëna të sakta.
Bislimi gjithashtu ka folur në lidhje me rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Përmendi edhe arritjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, si dhe synimet e objektivat e vendit në procesin e integrimit evropian në prag edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Hungaria, rëndësinë e zgjerimit dhe Planit të Rritjes të BE-së, punën e përpjekjet tona në këtë drejtim si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për interesin e shfaqur për ta njohur më shumë situatën në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe objektivat tona për të ardhmen. Para fillimit të sesionit të diskutimit, zëvendëskryeministri Bislimi u mirëprit në takim edhe nga drejtuesi i këtij instituti, Gladden Pappin”, thuhet tutje në komunikatën për media.