Marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, procesi i anëtarësimit në KiE e zgjedhjet e ardhshme – a u “zbutën” raportet ndërmjet Kurtit dhe Krasniqit

Marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, procesi i anëtarësimit në KiE e zgjedhjet e ardhshme – a u “zbutën” raportet ndërmjet Kurtit dhe Krasniqit

Të hënën për një darkë pune u takuan kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, parti kjo më e madhja në opozitë.

Në takim të pranishëm ishin edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Në darkë pune ishin të ftuar edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Kohë më e mirë për zgjedhje sipas tij janë pranvera ose vjeshta.

Kurti ka thënë se me Krasniqin kanë diskutuar edhe për rëndësinë e një komunikimi më të mirë në ditët në vijim, me qëllim të miratimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.

“I falënderoj udhëheqësit e PDK-së, Krasniqin e Tahirin që iu përgjigjen ftesës. Diskutuam çështjet e aktualitetit politik por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për tu votuar. Na nevojitet mbështetja e opozitës.

Diskutuam për situatën në përgjithësi edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, gjithashtu sa i përket mundësisë për  zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt por dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës”.

Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet për zgjedhje edhe me partitë tjera opozitare.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Le ta diskutojmë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim ose të them se kështu se nuk mundet ndryshe. Ta bëjmë debatin në fushatë zgjedhore pasi të jemi pajtuar për zgjedhje”.

“Darka ka zgjat shumë, nuk jemi takuar kaherë, kishim shumë gjëra për të diskutuar me Krasniqin”.

“Për KiE i kemi plotësuar të gjitha kushtet, fjalën tash e ka Këshilli i Ministrave.

“I kemi ftuar të gjitha partitë sonte. Do të insistoj që të takohem me të tjerët. Nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve vet. Nuk shpërndahet Kuvendi me shumicë të thjeshtë”, tha Kurti.

Krasniqi thotë se me Kurtin bisedoi për zgjedhjet e ardhshme

E pas takimit me kryeministrit Kurti është deklaruar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Krasniqi, në fjalën e tij para mediave pohoi se është folur kryesisht për punën e Kuvendit dhe perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme.

“Kemi pasur diskutime konsideroj të mira. Sa i përket Kuvendit edhe Ligjit në Kuvend, kemi diskutu edhe për ato”.

Ai shtoi se zgjedhjet nuk janë vetëm një dëshirë e PDK-së, por një nevojë për vendin.

“Unë do të ruaj korrektësinë, i kam propozu edhe më herët më vjen keq që data 9 qershorit është jashtë kornizave. Besoj që ka ende data që janë brenda kësaj kornize kohore që shpresoj të kemi dakordim”, tha ai.

Krasniqi gjithashtu shprehu arsyet e pjesëmarrjes së tij në këtë takim.

“Unë kam ardhur në këtë takim, duke besu se interesi i qytetarëve të Kosovës është me u marrë me tema që u interesojnë atyre, jo ato që u interesojnë ambasadave. Duhet të kthehemi tek qytetarët, sepse 200 mijë qytetarë kanë ikur se këtu nuk kanë gjetur një jetë të mirë”.

“Ne besojmë që Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnume. Kemi shëndetësi jashtëzakonisht të rëndë. Politikë të jashtme joekzistente. Parlament jofunksional. Tani kemi edhe një situatë të vështirë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Siç duket aty do të kemi një dështim. Ia shpreha kryeministrit Kurti se duhet ta përshpejtojmë punën për t’i zgjidhur këto tema. Ne e kemi emëruar kandidatin tonë”, ka thënë Krasniqi.

Shpërndaje në: