Dënohen dhe dëbohen dy rusët e ndaluar në veri të Kosovës

Dënohen dhe dëbohen dy rusët e ndaluar në veri të Kosovës

Dy shtetasit rusë, që janë ndaluar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës për “kalim ilegal të kufirit” janë dënuar dhe më pas dëbuar nga Kosova.

Policia e Kosovës pati thënë më 6 maj se dy rusët janë ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe kanë arritur aty prej Nishit të Serbisë, pasi nuk kanë pasur viza të Kosovës.

Këta dy rusë, Khusam Azam, 57 vjeç, profesor, dhe Elena Azam, 55 vjeçe, gjinekologe, janë dënuar me nga 250 euro, ka thënë një zyrtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë

“Ata janë dënuar në bazë të nenit 140 të Kodit Penal të Kosovës. Është dënim prej 250 eurosh, ose me burgim prej gjashtë ditësh. Kjo është çështje ligjore dhe gjykata ka shqiptuar dënimin e përcaktuar në ligj”, ka thënë një zyrtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut.

Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë nga viti 2022.

Deri atëherë, qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u është lejuar hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës pa vizë.

Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë dy vendet kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak. /REL/

Shpërndaje në: