Sërish shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve policorë dhe të tjerëve

Sërish shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve policorë dhe të tjerëve

Për shkak se tre nga avokatët e të akuzuarve deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, për të dytën herë me radhë është shtyrë seanca fillestare ndaj dy ish-zyrtarëve policorë dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të sigurimit.

Në këtë rast po akuzohen dy ish-zyrtarët policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi, si dhe Blerim Potera, Muhamet Balaj dhe Januz Avdili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, mbrojtësja e të akuzuarit Balaj, avokatja Besjana Ismajli deklaroi se edhe përkundër kërkesës së saj me shkrim drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë për t’u pajisur me shkresat e lëndës, nuk ka arritur që të pajiset me to.

“Pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë me kërkesë me shkrim kam kërkuar që të pajisem me shkresat e lëndës, por siç duket kërkesa ime ka hasur ne vesh në shurdhër. Andaj, kërkoj që të pajisem me shkresat e lëndës ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, neni 239”, tha Ismajli.

Mbi këtë rrethanë, ajo i propozoi gjykatës që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër me qëllim që të mbrojturit të saj t’i sigurojë një mbrojtje të dinjitetshme.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Potera, avokati Naim Rudari deklaroi se nuk është pajisur me të gjitha shkresa e lëndës.

Sipas tij, edhe pse nga ana e Prokurorisë ka pranuar një folder me shkresa të lëndës, në të mungojnë disa shkresa të rëndësishme, siç janë aktvendimet mbi hetimet.

“Mungon aktvendimi për fillimin e hetimeve, aktvendimi për zgjerimin e hetimeve, aktvendim për zgjatjen e hetimit apo çfarëdo aktvendimi tjetër që ka Prokuroria lidhur me hetimin, do të ishte mirë që tani të na i dorëzojë, por meqenëse edhe koleget tjerë me gjasë janë pa materiale që Prokuroria e ka detyrim t’i pajisë, siç duket nuk ka kushte për t’u mbajtur kjo seancë”, tha Rudari.

Ai tha se nuk mund të vazhdojnë asnjë minutë më tutje pa u pajsur me aktvendimet mbi hetimet.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Avdili, avokati Ilir Rashiti tha se në Prokurori dhe në gjykatë ka ushtruar kërkesë për sigurimin e provave materiale, por sipas tij ai posedon vetëm aktakuzën e rastit.

“Kujtoj se vetëm aktakuzën lëndore e posedoj nga të gjitha shkresat e lëndës, ndërsa shohim se janë listuar në aktakuzë një mori provave siç janë 24 prova materiale. Mendoj se duhet t’i kemi në dispozicion duke qenë se në këtë fazë është e nevojshme që të kundërshtohet si aktakuza po ashtu edhe provat materiale dhe e kam të pamundur pa i patur në dispozicion ato prova t’i vlerësoj se çfarë relevance kanë për të mbrojturin tim”, tha avokati Rashiti.

Lidhur me deklarimet e avokatëve, prokurorja Fitore Sadikaj, tha se në këtë seancë ka ardhur vetëm si zëvendësim, mirëpo sipas saj, nga zyra e prokurores Arbëresha Shala është njoftuar se avokatja e të pandehurit Balaj nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

“Edhe pse me datë 22.02.2024 Muhamet Balaj është njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë, dhe njëherit është njoftuar se avokati mbrojtës mund të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës e cila është procedu në gjykatë, njëherit është njoftuar se nëse nuk lajmërohet atëherë aktakuza do t’iu dorëzohet nga gjykata në shqyrtim fillestar, ndërsa në Prokuroi mund të pajiset me shkresat tjera të lëndës”, tha ajo.

Mirëpo, sipas prokurores edhe për kundër këtij njoftimi avokatja të premten rreth orës 13:30 ka qenë në Prokurori, por prokurorja dhe zyrtarja kanë qenë në pushim.

Lidhur me shkresat e lëndës për të akuzuarin Balaj, ajo tha se nuk është neglizhencë e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Ndërsa, për avokatët e tjerë, ajo tha se nuk është në dijeni se çfarë u është dorëzuar e çfarë jo.

Andaj, në këto rrethana, seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër.

Ndryshe, në këtë rast është shtyrë edhe seanca e 17 prillit, në mungesë të të akuzuarit, Visar Shala.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 shkurt 2024 kishe ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi, si dhe ndaj Blerim Poterës, Muhamet Balajt dhe Januz Avdili.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Visar Shala më 10 maj 2020 në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, me dashje kishte keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për vete dhe për personin tjetër, duke tejkaluar kompetencat e tij.

I njëjti, thuhet se duke e ditur se aksidenti i trafikut nuk është shkaktuar, përpilon dokument të rrejshëm, raport policor të datës 10 maj 2020 në Veternik, aksidenti i shkaktuar nga Feti Mulliqi drejtues i automjetit “VW T4”, ku kishte pësuar Muhamet Balaj drejtues i automjetit “BMW GX7”, pronë e Leasing e Blerim Poterës nga kompania “Leasing Alberti sh.p.k”, duke përpiluar edhe fletëparaqitjen e rrejshme për kundërvajtje të aksidentit të trafikut.

Këto raporte, i pandehuri Shala thuhet se i kishte nënshkruar duke vendosur numrin e ID të tij dhe duke vendosur inicialet e kolegut të tij B.A duke i mundësuar Blerim Poterës dhe Muhamet Balajt të përfitojnë benefite në kompaninë e sigurimit “Illyria” nga paraqitja e dënimit të automjetit mbi bazën e një dokumenti të rrejshëm të përpiluar në keqpërdorim të detyrës zyrtare nga i pandehuri.

Me këtë, Shala po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, sipas aktit akuzues, të pandehurit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj, pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, e me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit nga kompanitë e sigurimeve, me dashje kontribuojnë në paraqitjen e rrejshme të shkaktarit të aksidentit për dëmtimin e automjetit.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri Blerim Potera paraprakisht si pronar me Leasing i automjetit “BMW GX7” dhe pasi që e kishin pranuar dokumentin e rrejshëm i përpiluar në keqpërdorim të detyrës zyrtare nga i pandehuri Visar Shala, raporti për aksidentin e trafikut të datës 10 maj 2020 në Veternik, i shkaktuar nga Feti Mulliqi i cili ishte pronar dhe drejtues i automjetit “VW T4”, me policë të sigurimit “Illyria” duke e paraqitur drejtuesin e automjetit “BMW GX7”, të cilin e drejtonte Muhamet Balaj, si të dëmtuar.

Aty thuhet se i njëjti më 26 maj 2020 e kishin paraqitur kërkesën në emër të Muhamet Balajt për kompensimin e dëmit material të automjetit “BMW GX7”, në kompaninë “Illyria” pasi sipas raportit të rrejshëm shkaktar i aksidentit ishte Feti Mulliqi, i cili e kishte të siguruar automjetin në “Illyria”, e me paraqitjen e tyre të rrejshme të dy të pandehurit e vënë në lajthim kompaninë “Illyria” e cila i kompenson shumën prej 19 mijë e 540 euro e 16 centë të cilat i deponojnë në llogarinë e “Kepa Colors” sh.p.k për riparimin e automjetit “BMW GX7”, për të cilën Blerim Potera ishte kompensuar në shumë prej 19 mijë e 467 euro nga kompania “Scardian”, për dëmtimin e automjetit me rastin e vetaksidentit të datës 9 janar 2020.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit Potera dhe Balaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shala dhe Januzi më 9 dhjetor 2019 në cilësinë e personave zyrtarë– zyrtarë policorë në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe pas marrëveshjes paraprake kanë pranuar para nga Blerim Potera, ku gjatë zbatimit të masave të fshehta në audio-video incizime të datës 9 dhjetor 2019 vërehen zyrtarët policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi që takohen me Blerim Poterën me pseudonimin “Tuli”.

Sipas aktit akuzues, paratë e pranuara nga ai i ndajnë në mes vete, i pandehuri Shala e pranon se ka pranuar 100 euro për raportin pro dormë të datës 17 mars 2020 dhe pastaj edhe 300 euro të tjera për sigurimin e raportit të datës 10 maj 2020, ku shihen në video-incizim duke i ndarë paratë me Bedri Januzin.

Me këtë, Shala dhe Januzi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Më pas, aktakuza thotë se i pandehuri Potera më 9 dhjetor 2019 në mënyrë të drejtpërdrejtë iu ka ofruar ryshfet-para në vlerë prej 400 euro zyrtarëve policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi, që zyrtarët policorë të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare dhe për përfitime të tij, ndërsa zyrtari policor Visar Shala ka përpiluar raportet policore të datës 17 mars dhe 10 maj 2020.

Me këtë, i pandehuri Potera po akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

Tutje, i pandehuri Bedri Januzi thuhet se më 10 maj 2020 me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit kinse për lëndim trupor, planifikon të takohet me Jonuz Avdilin dhe të inskenoj aksidentin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Januzi derisa ishte duke e drejtuar automjetin “Mercedes Benz” dhe ishte i shoqëruar me pasagjeren Gentiana Sllovija sipas marrëveshjes paraprake kur i pandehuri Januz që e drejtonte automjetin “VW Touran” e ndalon automjetin me qëllim të krijimit të kontaktit fizik midis dy automjeteve. Aty thuhet se Januzi e lajmëron “aksidentin” në Policinë e Kosovës të cilët dalin në vendin e ngjarjes dhe në Stacionin Policor Jugu iniciohet rasti i aksidentit me dëmtimet materiale e lëndime trupore për Gentiana Sllovija pasagjere në automjetin e të pandehurit Bedri, i cili i siguron dokumentet mjekësore në emër të Gentiana Sllovijnës.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se Sllovija nën përcjelljen, ndihmën dhe udhëzimet e të pandehurit Januzi paraqet kërkesën në kompaninë e sigurimeve “Prisig” dhe si pasojë e paraqitjes së rrejshme të aksidentit-inskenimit të aksidentit, kompania e sigurimeve lidh Ujdinë Jashtëgjyqësore të datës 7 nëntor 2020 për kompensimin e dëmtimeve trupore të Gentiana Sllvoija dhe me urdhër mandatin BKT, mjetet monetare në shumë prej 480 euro nga kompania “Prissig” i kalon tek përfituesi.

Me këtë, i pandehuri Januzi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.

Kurse, i akuzuari Januz Avdili thuhet se më 10 maj 2020 kishte ndihmuar të pandehurin Bedri Jonuzi në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të sigurimit duke i vënë në dispozicion automjetin e tij të tipit “VW Touran” për të inskenuar aksidentin e planifikuar nga Bedri Jonuzi, duke e ditur se i pandehuri Jonuzi do të inskenojë aksident trafiku, kur janë takuar në rrugën “Nekibe Kelmendi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Januzi kishte ndaluar derisa ishte duke drejtuar automjetin, i pandehuri Bedri e afron automjetin e tij “Mercedes Benz” dhe e godet në pjesën e pasme automjetin të cilin e voziste Januzi, ku kinse shkaktohet dëm material me lëndime trupore që i pëson pasagjerja Gentiana Sllovija.

Me këtë, i pandehuri Avdili po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: