Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-ës në Izbicë

Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-ës në Izbicë

Me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për krime lufte, Muhamet Alidemaj, avokatit Milos Deleviq është mbyllur seanca për publikun.

Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, mbrojtësi i të të akuzuarit, avokati Deleviq kërkoi nga trupi gjykues që seanca në të cilën është paraparë të dëgjohen dy dëshmitarë Sh.A dhe R.D, të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Këtë propozim të avokatit Deleviq, prokurori special Ilir Morina e konsideroi të vonuar dhe se sipas tij e njëjta kërkesë është dashur të bëhej kur është propozuar dëgjimi i dëshmitarëve.

Ai tha se këtë nuk e kundërshton edhe pse nuk ka arsye ligjore pasi që nuk rrezikohet jeta e tyre.

“Nëse gjykata vlerëson unë jam për, por arsye ligjore nuk ka sepse jeta e tyre nuk rrezikohet, jetojnë në një zonë të Istogut dhe Pejës ku të gjithë i njohin. Nga dita kur është arrestuar deri më sot të gjithë i njohin kush janë dëshmitarët dhe nuk ka pasë ndonjë raport apo informacion se dikush ka kryer ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin në raport me familjen e të pandehurit apo anëtarët e gjerë të rrethit”, ka thënë prokurori special Ilir Morina.

Ndërsa, trupi gjykyues mori vendim që seanca të jetë e mbyllur për dëgjimin e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Shpërndaje në: