Gjashtë Ministri të Qeverisë Kurti ende në gjumë, zero investime kapitale për këtë vit
Gjashtë Ministri të Qeverisë “Kurti” nuk e kanë shpenzuar asnjë cent të vetëm në kategorinë e investimeve kapitale në periudhën janar-mars 2024.
Sipas raportit tremujor financiar (janar-mars 2024), niveli qendror ka dështuar keq me investimeve kapitale. Zero shpenzime në kategorinë e investimeve kapitale kanë raportuar Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Jashtme, por edhe Kuvendi i Kosovës.
Sipas këtij raporti që e posedon Front Online vetëm 1% të buxhetit për shpenzime kapitale ka shpenzuar Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Presidentes, Vjosa Osmani, 2% të buxhetit për shpenzime kapitale i ka shpenzuar Ministria e Kulturës, 3% Ministria e Arsimit, 4 % Ministria e Financave, nga 6% të buxhetit i kanë shpenzuar Ministria e Mjedisit dhe ajo e Zhvillimit Rajonal, nga 8 % të buxhetit për investime kapitale e kanë shpenzuar Ministria e Shëndetësisë dhe e Brendshmja, raporton Front Online.
Më së miri me shpenzime në këtë kategori buxhetore qëndron Ministria e Mbrojtjes që ka shpenzuar 49% të buxhetit dhe Zyra e Kryeministrit Albin Kurti që ka shpenzuar 82% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.
Përndryshe, sipas raportit tre mujor të Buxhetit, në periudhën janar-mars 2024 gjitha institucionet shtetërore kanë shpenzuar vetëm 87 milionë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale, apo vetëm rreth 10% të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar për investime kapitale.
Shala i PDK-së: Investimet kapitale në shkallën më të ulët në 15 vitet e fundit në Kosovë
Ferat Shala nga PDK thotë se raporti tre mujor i Buxhetit për periudhën janar-mars 2024, ku të gjitha institucionet shtetërore kanë shpenzuar vetëm 87 milionë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale, tregon paaftësinë e qeverisë “Kurti” për të realizuar apo zbatuar projekte kapitale.
Sipas deputetit të PDK-së shpenzimet prej vetëm 10% tregon shkallën më të ulët të realizimit të investimeve kapitale që ka ndodhur në 15 vitet e fundit të qeverive të Kosovës.
“Tashmë është praktikë e keqe e kësaj qeverie që aftësia e saj për të realizuar apo zbatuar projektet kapitale. Shkalla e investimeve kapitale po vazhdon me të njëjtin nivel siç ka qenë edhe në vitet paraprake. Fatkeqësisht investimet kapitale nuk po realizohen edhe pse në parim kanë qenë të planifikuara jashtëzakonisht pak, dhe pjesa kryesore, 26% e të totalit të investimeve kapitale ka qenë projekte të bartura nga vitet paraprake. Në esencë kjo tregon shkallën më të ulët të realizimit të investimeve kapitale që ka ndodhur në 15 vitet e fundit të qeverive të Kosovës”, theksoi ai.
Shala thotë se fokusi qeveritar është tek procedurat e negocimit të tenderave dhe jo tek shkalla e realizmit të projekteve kapitale.
“Për më keq, edhe ato projekte që janë zhvilluar ose po realizohen kryesisht janë shkuar në pjesën e procedurave të negociuara, që do të thotë që institucionet e kësaj qeverie parim bazë e kanë çështjen e negocimit të tenderave. Në perudhën janar-mars të këtij viti, krahasuar me vitin paraprak, kemi 64% shkallen e rritjes së tenderave të negociuar. Fokusi qeveritar është tek procedurat e negocimit të tenderave dhe jo tek shkalla e realizmit të projekteve kapitale”, theksoi ai.
Mos implementimi i projekteve kapitale, sipas deputetit Shala rezulton me shkallë të ulët të vendeve të punës, që sjellë dëme të mëdha në kuptimin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Mos realizimi i investimeve kapitale, qoftë në infrastrukturë, në objekte tjera të infrastrukturës së arsimit, apo në projekte të industrisë, është mungesë totale e zhvillimit dhe kjo rezulton me shkallë të ulët të vendeve të punës, rezulton me lëvizje të brendshme minimale të kapitalit, me dëm të madh edhe për kompanitë dhe punëkryesit vendor e që në aspektin e përgjithshëm rezulton me minimizim të prodhimit vendor. Në këtë relacion dëmet janë të mëdha në kuptimin e zhvillimit, emancipimit dhe në kuptimn e dinamikës së përgjithshme të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ai.
Sipash Shalës është e pamundur që të shpenzohet shuma e ndarë deri në fund të vitit për investime kapitale sepse tashmë janë shumë vonë, megjithatë ka hapësirë për disa projekte në tre mujorëshin e radhës dhe nëse nuk fillohet me punë çështja e implementimit mbetet për vitin e ardhshëm.
“Është e pamundur tashmë në këtë fazë që jemi të përmbushen kriteret dhe standardet e nevojshme për t’u realizuar në mënyrë të rregullt investimet kapitale sepse jemi vonuar shumë. Tashmë jemi në muajin e pestë dhe do të duhej të fillonte implementimi i projekteve bazike kapitale por që nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e tyre, mund të realizohet ende, ende ka hapsirë dhe mundësi që të fillohet me procedura në realizim të investimeve kapitale, në veçanti në muajin qershor,korrik dhe gusht pastaj nëse në këtë fazë nuk fillohet, çështja e implementimit mbetet për vitin e ardhshëm”, tha Shala
Bunjaku e LDK-së: Mungesa e investimeve kapitale, i bie se rritet papunësia, që çon në emigrimi
Valentina Bunjaku nga LDK thotë se mungesa e investimeve kapitale e bënë paranë e pavlefshme. Sipas saj kjo mungesë shpie deri tek emigrimi.
“Së pari, mungesa e investimeve kapitale, e bën paranë e ruajtur mjaft të pavlefshme. Së dyti, mungesa e investimeve kapitale, i bie se rritet papunësia, e rrjedhimisht, emigrimi. Së treti, mungesa e investimeve kapitale, e zhgënjen klasën e mesme të shoqërisë, pasi asaj i intereson përveç një punë e pagë, të ketë infrastrukturë të mirë publike, jetë më cilësore”, thotë Bunjaku.
Sipas deputetes së LDK-së, pushteti tash do t’i ndezë motorët e do të bëjë investime kapitale vetëm për fushate, sepse sipas saj po i afrohemi zgjedhjeve elektorale.
“Vetëm shihni sa e bën jetën e padurueshme, zvarritja e aq shumë projekteve të mëdha rrugore. Ka kohë deri në përfundim të mandatit, sepse pasi po i afrohemi zgjedhjeve, pushteti do t’i dhez motorët e do të bëjë investime urgjente kapitale, për fushatë elektorale, por sidoqoftë, investimet me shpejtësi, do të kenë më pak inspektime dhe monitorime, rrjedhimisht më pak cilësi”, theksoi Bunjaku për Front Online.
Lekaj i AAK-së: Qeveria Kurti është kampione e keq-menaxhimit të parasë publike
Pal Lekaj nga AAK-ja sa i përket shpenzimeve të investimeve kapitale në vetëm 10%, konsideron se Qeveria Kurti po vazhdon me keqmenaxhimin dhe funksionimin ndaj projekteve dhe investimeve publike në nivel qendror dhe lokal.
Lekaj thotë se ministritë nuk kanë idenë se si të menaxhojnë dhe shpenzojnë paranë publike.
“Ky pushtet edhe në vitin e katërt, po vazhdon praktikën e njejtë të menaxhimit dhe funksionimit ndaj projekteve dhe investimeve publike në nivel qendrorë dhe lokal. Edhe në vitin 2024 Ministritë nuk e kanë idenë se si të orientojnë, menaxhojnë dhe shpenzojnë paranë publike. Fat i keq që paraja publike po shkon në deficitë ndërsa qytetarët kanë mungesë të mallrave dhe shërbimeve që shteti duhet tu sigurojë”, tha Lekaj.
Sipas tij, buxheti nuk po preket ndërkaq në anën tjetër qytetarët nuk po marrin shërbimet e domosdoshme.
“Është shumë paradoksale që buxheti i shtetit të mbetet i pa shpenzuar, ndërsa Qytetarët vazhdojnë të mos marrin shërbimet e duhura mjekësore, shërbimet publike si uji, cilësia e arsimit, kujdesi social, rritjen e pagës minimale për sektorin privat, etj”, thotë ai.
Për Lekajn shqetësuese mbetët që mos shpenzueshmëria në Investime kapitale nga Qeveria Kurti do të vazhdojë ende.
“Mos shpenzueshmëria në Investime kapitale nga Qeveria Kurti do të vazhdojë ende, ndërsa shteti ynë do të vazhdojë të keqmenaxhohet dhe kjo le një shije të hidhur ku qytetarët nuk e shohin Kosovën vend as për të jetuar e lëre më për tu zhvilluar në punë e profesion”, theksoi ai.
Lekaj në fund theksoi se për nga aspekti ekonomik dhe social, Kosova ka nevojë për ndërrim të pushtetit.
Shatri: Mjetet për investime kapitale i ridestinojnë për subvencione për qëllime elektorale
Haki Shatri, ish ministër i ekonomisë, mungesën e investimeve kapitale nuk po e sheh befasuese nga Qeveria “Kurti”, duke theksuar se këta të fundit po merren me probleme tjera.
Shatri thotë se Qeveria mjetet e pashfrytëzuara për investime kapitale do t’i ridestinoj për subvencione për qëllime elektorale, për marrjen e votave.
“Nuk është befasi kjo, që tri-katër vjet njëjtë e ka kjo Qeveri këtë punën e investimeve dhe zhvillimeve e kanë lënë pas dore dhe po merren me probleme të tjera. Megjithëse tre mujori i parë nuk është bash indikator që përcakton tërë dinamikën e tërë vitit se buxheti hynë në fuqi me 1 janar por përgatitjet fillojnë dhe marrin kohë për projekte të reja. Kjo qeveri kështu po funksionon, me vonesa dhe në fund këto mjetet për investime kapitale i ridestinojnë për subvencione për qëllime elektorale, për marrjen e votave”, theksoi ai.
Shatri thotë se mos implementimi implementimi i investimeve kapitale shkon në dëm të ekonomisë së vendit
“Mos implementimi i investimeve kapitale shkon në dëm të ekonomisë së vendit sepse paratë mbesin të bllokuara, nuk hyjnë në qarkullim, shumë kompani që kishin me punu në mënyrë zingjirore ngjiten me punën e kompanive tjera të cilat janë të ndërlidhura në proces të investimeve. Pra një varg kompanishë bllokohen ose mbesin pa punë, ndërkohë që paratë rrijnë kot, të bllokuara. Kësisoji nuk kontribohet në zhvillim të vendit”, theksoi Shatri.
Rukiqi: Qeveria “Kurti” çdo dështim tenton ta mbuloj me subvencionime
Ish kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi thotë se mos shpenzimi i mjeteve për investime kapitale është keqmenaxhim për buxhetin, njëlloj sikur kur paratë shpenzohen keq.
Sipas Rukiqit çdo dështim apo çdo performancë të dobët, Qeveria ‘Kurti’ ka tentu me mbulu në formën e subvencionimit, duke shpërndarë mjete pa asnjë plan
“Cdo mos shpenzim i mjeteve është keqmenaxhim me buxhetin, që do të thotë edhe kur shpenzohen keq por edhe kur nuk shpenzohen fare është keqmenaxhim. Mungesa e projekteve, bënë që mos të përfitojnë qytetarët dhe bizneset që paguajnë taksa. Normalisht, ky është dështim i madh. Realisht, çdo dështim apo çdo performancë të dobët kjo qeveri ka tentu me mbulu në formën e subvencionimit, duke shpërndarë mjete pa asnjë plan”, theksoi ish kryetari i Odës Ekonomike.
Rukiqi sqaron se mungesa e projekteve kapitale ndikon në ekonominë e vendit e cila reflekton në papunësi, në mirëqenie qytetare.
“Dami i tillë reflektohet në rritje ekonomike, sa më pak rritje ekonomike reflektohet në puënësim, në mirëqenien qytetare, reflektohet në arsim me cilësi më të dobët, shëndetësi pa ndonjë shërbim apo zhvillim të ri, kështuqë dëmi është i shumë anshëm”, tha ai.
Në fund, Rukiqi thotë se Qeveria nuk ka kohë më për shpenzim të mjeteve të planifikuara për investime, sepse tashmë është shumë vonë.
“Kjo qeveri nuk mundet me i shpenzu mjetet e planifikuara për investime kapitale, tashmë jemi në gati gjysmën e vitit dhe një pjesë e madhe e projekteve ende nuk ka filluar. Pjesa më e madhe e asaj që ka filluar ka mbetur në gjysmë. Këta nuk i kanë përfunduar edhe ato që i kanë gjetur në përfundim e sipër e mos të flasim për projekte të reja”, përfundoi Rukiqi
Shpenzimet kapitale të nivelit qendror