O’Brien javën e ardhshme viziton Malin e Zi, takon liderët rajonal
Ndihmës Sekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien pritet që javën tjetër të udhëtojë për në Mal të Zi.
Siç është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit, ai pritet të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve Rajonal, që do të mbahet në Kotor.
Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, thuhet tutje në komunikatë.
Në samit pritet të marrin pjesë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheley./rtk