“Albkings”, një muaj paraburgim për shpërndarjen e numrave të telefonave
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës një muaj paraburgim ndaj të pandehurit V.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ngacmim.
V.A. nga data 6 maj 2024 në vazhdimësi ka ngacmuar qëllimisht duke u shkaktuar shqetësim emocional të dëmtuarave A.Th-M dhe A.A, duke shpërndarë numrat e telefonave të tyre në grupin e quajtur “Albkings” në aplikacionin Telegram.
Anëtarët e këtij grupi më pas kishin filluar t`i kontaktonin të njëjtat përmes telefonave të tyre si dhe aplikacioneve të ndryshme në internet, duke kërkuar nga të dëmtuarat takime dhe favore.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se i njëjti ngjashëm ka vepruar edhe ndaj personave tjerë, duke shpërndarë të dhëna e numra telefoni në këtë grup, fotografi të ndryshme në forma dhe përmbajtje degraduese për vajza dhe gra, duke etiketuar dhe fyer me terma nënçmuese, e që të njëjtave iu ka shkaktuar shqetësim emocional.
Kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Grupi famëkeq “Albkings”, në Telegram, një aplikacion i krijuar nga dy persona me origjinë ruse dhe me bazë në Dubai, sipas mediave britanike që kishin qasje në këtë kanal, ka mbi 66 mijë anëtarë, të cilët ndajnë foto dhe video intime të grave që njohin pa lejen e tyre.
Më 18 prill, njëri nga administruesit e “AlbKings”, Edin Nevzati, shtetas nga Shqipëria, u arrestua nga policia dhe ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën një muaj paraburgim.