Shqipëria kandidon me Serbinë për “Euro 2027”, Duka: Kosova ishte opsioni i parë, por nuk i plotëson kriteret

Shqipëria kandidon me Serbinë për “Euro 2027”, Duka: Kosova ishte opsioni i parë, por nuk i plotëson kriteret

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka thënë se Kosova ka qenë opsioni i parë për të shpallur kandidaturë të përbashkët për ta organizuar Kampionatin Evropian për grumposhën e 21-vjeçarëve.

Por Duka të enjten për KOHËN ka thënë se Kosova nuk plotëson kriteret. Ka shtuar se Shqipëria e vetme nuk i plotëson kushtet.

Duka ka konfirmuar kandidaturën bashkë me Serbinë për Evropianin që do të mbahet në vitin 2027.

“Opsioni i parë ka qenë Kosova. Duke qenë se Kosova nuk plotëson kriteret dhe ne gjithashtu nuk i plotësojmë kriteret për ta organizuar të vetëm, atëherë e pamë aplikuesit që ishin Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Belgjika. Dy të tjerat nuk kishin interes të bashkohen me ne, atëherë i vetmi mbetej Serbia. Ne kemi interesa, sepse organizojmë një event madhor në Shqipëri dhe ekipi ynë kualifikohet automatikisht në ‘Euro 2027’ ”, ka thënë Duka për KOHËN.

Në fakt, Kosova aktualisht nuk ka asnjë stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Por shteti ka planifikuar investime milionëshe për rregullimin e infrastrukturës sportive në vend. Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Në kuadër të investimeve janë përmendur edhe ndërtimi dhe rinovimi i disa stadiumeve në Kosovë.

Shpërndaje në: