Injorimi i Vokrrit nga FFK-ja dhe krerët e saj, Munishi: Është problem serioz, po të mos ishte Fadili nuk do të ishim të pranuar ende
Ismet Munishi sonte në emisionin “Favorit” në T7 ka komentuar injorimin që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), kryetari i saj, Agim Ademi, dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ia bënë Fadil Vokrrit dhe meritave të tij për pranimin e Kosovës në UEFA.
Të premten u shënua 8-vjetori i pranimit të Kosovës në UEFA. Por, emri i legjendës, Fadil Vokrri, njëherit edhe kryetarit të atëhershëm të FFK-së, nuk u përmend fare nga drejtuesit e FFK-së.
“Më këso mendësie nuk ke as suksese. Si njeri duhet të jesh së pari mirënjohës, pa komplekse dhe njeri që i çon punët përpara. Vetëm kështu të jepet një vend në histori, i tillë ka qenë Vokrri. Këtu po flasim për të për shkak të ndërgjegjes, jo që kemi interes personal. Unë e kam pasë idoll Vokrrin. Ai ishte lojtar i jashtëzakonshëm. Gjeneratat më të reja e mbajnë mend për suksesin e arritur me pranimin në UEFA e FIFA. Pak e mbajnë mend se çfarë futbollisti ka qenë”, tha fillimisht Munishi në “Favorit”.
“Ky është një problem serioz. Çka s’ka ndodhë në FFK, por nuk jam futur shumë në detaje – unë vlerësoi se duhet ta mbrojë atë që është në fushën e gjelbër. Duke shpreh mirënjohje për një njeri, që mes shumë vështirësive, duke përdorur autoritetin e emrin e vet, pasi Vokrri nuk ka pasë nevojë për prezantim as jashtë, këta nuk t’i njeh kurrkush. Duke përdorur karizmën e vet, autoritetin, miqtë që e kanë përkrahur si Fadil dhe si kryetar i Federatës… Të jeni të bindur se po mos të ishte Fadili, ne ende sot do të luanim pa u pranuar. Besoj se FFK-ja duhet të dalë me një sqarim, sepse për mua prej shumë skandaleve që kanë ndodhë aty, gafa më e madhe është kjo e herës së fundit”, deklaroi Munishi. /Gazeta Express/