Biden bën thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur amerikanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë gazetarëve, përfshirë Alsu Kurmashevën e Radios Evropa e Lirë dhe Evan Gershkovichin e The Wall Street Journal, të cilët janë arrestuar në Rusi për akuza që ata, punëdhënësit e tyre dhe mbështetësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.
“Gazetaria nuk duhet të jetë krim askund në botë”, tha Biden në një komunikatë për shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj.
“Në Rusi, gazetarët amerikanë Alsu Kurmasheva dhe Evan Gershkovich, janë paraburgosur në lidhje me punën e tyre për Radion Evropa e Lirë dhe The Wall Street Journal”, tha Biden.
Kurmasheva – gazetare e REL-it me bazë në Pragë e cila mban dyshtetësi, amerikane dhe ruse – po mbahet në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit, për gjoja shkeljen e të ashtuquajturit ligjin për “agjentët e huaj”.
Kritikët dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se Kremlini e përdor këtë ligj për ta luftuar çdo kundërshtim.
Kurmasheva, 47 vjeçe, akuzohet edhe për përhapjen e dezinformatave për ushtrinë ruse dhe përballet me burgim deri në 10 vjet, nëse shpallet fajtore.
REL-i dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e REL-it.
Gershkovich, gazetar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, është në paraburgim më shumë se një vit në Rusi, nën akuzat për spiunim.
Autoritetet ruse nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin akuzat e tyre për spiunazh, të cilat Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane, i kanë hedhur poshtë.
Ato deklarojnë se Gershkovich ka qenë duke e bërë punën e tij dhe ka qenë i akredituar si gazetar në kohën kur është arrestuar.
Moska është akuzuar gjithashtu edhe për paraburgosjen e amerikanëve për t’i përdorur ata pastaj për shkëmbim me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të të gjithë gazetarëve, të cilët janë burgosur thjesht sepse po bënin punën e tyre”, tha Biden.
Biden tha se administrata amerikane do të njoftojë së shpejti për hapa konkretë si përgjigje ndaj arrestimit të jashtëligjshëm të gazetarëve në gjithë botën, duke e cilësuar si “kërcënim serioz” shtypjen e lirisë së medias për sigurinë kombëtare të Amerikës.
“Do të autorizoj masa, përfshirë sanksione dhe regjim vizash kundër atyre të ndërmarrin veprime abuzive për ta heshtur shtypin”, tha Biden./REL