Edhe indeksit të “Reporterëve pa Kufij” Qeveria i gjenë ‘behane’: Veriu, Veriu, Veriu…
Qeveria e Kosovës ka reaguar për raportin “Reporterëve pa Kufij”, ku Kosova ka rënë në 19 pozita sa i përket lirisë së mediave për vitin 2024, shkruan Periskopi.
Ka qenë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu që ka reaguar përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook.
Se pse Kosova ka rënë në 19 pozita më poshtë, Kryeziu krejt fajet i ka adresuar për shkak se gazetarët u sulmuan në veriun e Kosovës, vitin e kaluar.
Por Kryeziu ka ‘harruar’ ta përmend militantin e VV-së Rilind Gërvalla që evidentohet në raportin e RFS, për pozitën e drejtorit të RTK-së.
“E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit””, ka shkruar ai ndër të tjera.
Qe komplet arsyetimi i tij:
Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike.
Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.
E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: “Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës”.
Në veri Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë. Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë.
Sa i përket çështjes së Klan Kosovës sh.p.k, aty është evidentuar një shkelje ligjore. Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte. Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë.
Regresi i Kosovës në Lirinë e Medias, LDK: Raporti i RSF na riktheu në korridor të errët të censurës