Hoti: Serbia s’po përgjigjet për lokacionet që synojmë t’i gërmojmë në territorin e tyre
Kryetari i delegacionit të Kosovës për Personat e Pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti, thotë se çështja e të pagjeturve nuk duhet e as nuk guxon të përfshihet në politika ditore.
“Sipas mendimit tim, kjo çështje nuk duhet e as nuk guxon të përfshihet në politika ditore”, tha Hoti.
Ai tha se gërmimet aktualisht po bëhen në Podujevë ndërkaq pritet të fillohen edhe në katër lokacione. Poashtu ai tha se problemet në të cilat hasin janë te lokacioni i saktë.
“Aktualisht gërmimet vazhdojnë, pritet të vazhdojnë në katër lokacione. Për momentin ekipet janë në Podujevë në gërmime. Sa u përket vështirësive apo problemeve, ne veprojmë në bazë të urdhrit të Gjykatës, së bashku me Policinë e Kosovës. Rrjedhimisht, problemet e vetme i kemi te lokacioni i saktë, varësisht nga informatat që kemi. Duke pasur parasysh terrenin dhe koordinatat që mbulojnë hapësira të vogla”, tha Hoti për Front Online.
Gërmimet e fundit para Podujevës, ishin bërë në Therandë dhe Prizren.
Kryetari i delegacionit të Kosovës për Personat e Pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti tregon për Front Online se sa i përket dialogut për çështjen e të pagjeturve, janë në pritje të formimit të Komisionit të përbashkët që duhet të formohet nga Bashkimi Evropian.
“Në raport me dialogun, jemi ende në pritje të formimit të Komisionit të përbashkët, që duhet të formohet nga BE. Nuk kemi pranuar ende asnjë informacion nga pala serbe, as për letrën e 1 Qershorit, dhe as për lokacionet që po synojmë të gërmojmë në territor të Serbisë”, tha Hoti
Ai tha se takime të delegacionit në fjalë nuk ka pasur që nga 31 Janari.
“Jo nuk ka pasur takime tjera të delegacioneve që nga 31 Janari. Megjithatë, nëngrupi punues që përbën edhe mjek ligjor nga pala serbe, kanë qenë gjatë kësaj jave për gërmime bashkë me ekipet tona”, theksoi ai.
Por, se a janë bërë përpjekje të mjaftueshme për tri vjet qeverisje sa i përket të të pagjeturve, Hoti tha kjo çështje nuk varet nga qeverisjet.
“Nuk mendoj që çështja e personave të zhdukur, varet nga qeverisjet, prandaj nuk preferoj të përgjigjem këtu”, tha Hoti.