Ahmeti u përgjigjet sulmeve në fushatë: S’e kanë me BDI-në, por me shqiptarët

Ahmeti u përgjigjet sulmeve në fushatë: S’e kanë me BDI-në, por me shqiptarët

Shqiptarët nuk mund të prezantohen në Qeveri nga një koalicion që nuk e reflekton vullnetin e shumicës së qytetarëve – është mesazhi që vjen nga Fronti Evropian, pasi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, para përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, preferon koalicionin VLEN në qeverinë e ardhshme.

Mickoski, gjatë çdo tubimi vazhdon të adresojë akuza dhe sulme ndaj BDI-së, duke dërguar mesazhin që BDI-ja duhet të shkojë në opozitë.

Por, lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një tubimi në Saraj të Shkupit, tha se veprimet e fundit të Mickoskit, nuk janë të rastësishme.

“Gjithkund goditet BDI-ja. Nuk goditet BDI-ja, por shqiptarët. Shqiptarët janë pengesa pse e mbështesin BDI-në. Ju jeni fajtorë, ashtu siç thoshte Çubriloviqi – vrisni nënën shqiptare, mos i vrisnin burrat. Nënën shqiptare, ajo është fajtorja. Duan t`ia vrasin nënën, BDI-në, shqiptarëve në Maqedoni, sepse është bërë halë në sy. Ne nuk jemi pengesë për të tjerët. Ne i kemi mbështetur qytetarët tanë për historinë e tyre, për gjuhën, kur të gjithë të tjerët ua kontestojnë”, tha Ali Ahmeti.

Por, gjatë një tubimi në Çair të Shkupit, lideri I BDI-së Ali Ahmeti, i është kundërpërgjigjur edhe kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, lidhur me pretendimet e saj për Tribunal të Hagës për UÇK-në. Sipas Ahmeti, kjo nuk do të ndodhë.

“UÇK ka nënshkruar një marrëveshje me NATO-n, Amerikanë, BE-në dhe I ndjeri Boris Trajkovski dhe unë si Komandant I Përgjithshëm. Ky kapitull është mbyllur sepse drejtësia ndërkombëtare ka vërtetuar se UÇK-ja është ushtri çlirimtare dhe jo mercenarë”, tha Ahmeti.

Nga Fronti Evropian thonë se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidati presidencial I VLEN-it ka rreth 37.000 vota më pak se ai I Frontit Evropian dhe nëse rezultati përsëritet edhe në zgjedhjet e 8 majit, përfaqësues legjitim në qeverinë e ardhshme është pikërisht Fronti Evropian.

Por, Mickoski vazhdon të insistojë se parimi fituesi me fituesin është shkelur para 7 viteve./tvklan.mk

Shpërndaje në: