A do të jetë Pahor ‘Lajçaku i ri’ dhe përse Serbia mund të mos e pranojë atë?

A do të jetë Pahor ‘Lajçaku i ri’ dhe përse Serbia mund të mos e pranojë atë?

Nga Megi Iskurti

Në listën e Josep Borrell për rotacionin e ardhshëm të trupit diplomatik të BE-së nuk është specifikuar ende se kush do të jetë ndërmjetësi i ri i dialogut Kosovë-Serbi pas Miroslav Lajçakut.

Megjithatë, në qarqet dhe tryezat diplomatike diskutohet zëshëm për një emër i cili që në krye të herës ka konfirmuar dëshirën e tij për të pasuar Lajçakun si i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun: Borut Pahor, ish-presidenti slloven.

Edhe pse kanë mbetur disa muaj nga mbarimi i mandatit të Lajçakut në gusht, bilanci i rezultateve që ai ka arritur është vënë tashmë në peshore dhe pritshmëritë për një rrjedhë të re dialogu, në momentin kur Kosova ndodhet në nivelin më të ulët diplomatik, janë të mëdha.

Prishtina zyrtare e ka sfiduar jo pak herë hapur rolin e Lajçak dhe e ka kritikuar vazhdimisht për njëanshmëri ndaj Serbisë. Në vazhdën e ngjarjeve të fundit në veri, nga tensionet për targat, ato për kryetarët e komunave veriore e deri te sulmi terrorist i Banjskës, qëndrimet e Lajçak kanë qenë shpesh ‘nën sitën’ e kryeministrit Albin Kurti i cili ka deklaruar se nuk e barazon dot emisarin europian me Bashkimin Europian.

Ndryshe nga Sllovakia e Lajçak që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Sllovenia e Pahor e ka mbështetur fort atë dhe ka lobuar shpesh për forcimin e pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare diplomatike.

Një ndërmjetës i motivuar nga kalkulimet politike?

Për shumë analistë dhe njohës të mirë të diplomacisë, fytyra e re e mundshme e udhëheqjes së dialogut Kosovë-Serbi është e motivuar nga kalkulimet politike. Duke e njohur ngushtë konfliktin rajonal, si një figurë politike dhe diplomatike që është ngritur dhe ndërtuar në realitetin e hapësirës ballkanike të ish-Jugosllavisë, ata konsiderojnë se Pahor është më i mirë se shumica dërmuese e kandidaturave që mund të vijnë në rend.

Megjithatë, për shumë prej tyre, Serbia nuk do të jetë fort e hapur ndaj kësaj kandidature. Jo prej faktit se Pahor ka ndonjë histori anti-serbe por sepse Serbia nuk e konsideron Slloveninë vend mik, madje as vend asnjëanës.

Pretendimi i Serbisë, thonë ata, do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”, gjë që do e bëjë atë një ndërmjetësues jolegjitim nga shteti serb.

Peshë mund të luajë edhe fakti që Pahor nuk mund të ketë harruar se fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë pati nisur pikërisht me sulmin që forcat ushtarake serbe ndërmorën, kundër shtetit të tij Sllovenisë.

‘Non-paper-i’ për kufij etnikë në Ballkan dhe qëndrimet e Pahor për dialogun

Pavarësisht se është kujdesur të jetë i ftohtë në gjykimet e tij mbi konfliktin Kosovë-Serbi, Pahor nuk e ka gjendur veten jashtë zhurmnajës.

Tri vite më parë, pati polemika të shumta për një ‘non-paper’ që thuhet se doli nga zyra e tij dhe që mbështeste idenë e një ndarje të kufijve në Ballkan mbi baza etnike. Por edhe pse ai i shoi kategorikisht zërat dhe përsëriti me bindje qëndrimin e tij se nëse bëhet ndonjë ndryshim i kufijve në Ballkan lufta do të ishte pasoja e vetme, ky ‘non-paper’ nuk kaloi pa kritika.

“Jam kundër ideve që paraqiten në dokumente të tilla dhe jam shumë më afër i mendimit që të bëhet zgjerimi i BE-së dhe me këta kufij që ekzistojnë. Edhe nëse dikush në mënyrë naive mendon dhe fillon të bisedojë për kufijtë në këtë rajon e di se nuk do të përfundojë në mënyrë paqësore, pasi kemi përvojën nga ky rajon lidhur me ndryshimin e kufijve. E refuzoj plotësisht idenë e këtij ‘non-paperi’”, tha ai atëbotë ndërsa i ka mëshuar disa herë idesë se Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

“E vërteta është se zgjidhjen duhet ta gjejnë udhëheqësit e të dyja vendeve. Si mik i dy kombeve – shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dëshiroj që të gjendet një vullnet politik për vazhdimin e këtyre negociatave të vështira dhe në fund shpresoj që të gjejnë vendimin i cili do të jetë kompromis i mirë për të dyja palët dhe kuptohet edhe për Bashkimin Europian”, deklaroi ai ndërsa shtoi se Kosova ka edhe disa kushte për të plotësuar.

Pika kryesore për të cilën ai ka insistuar është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndjekur nga respektimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi.

Në arenën ndërkombëtare ai konsiderohet si një ndër politikanët më të mirë të karrierës dhe mbështetja për të këto ditë është afirmuar.

Gazeta kryesore sllovene “Delo.si” shkroi para ca ditësh se kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob ka shumë të drejtë dhe arsye të forta për të mbështetur pa kushte ish-presidentin e Sllovenisë Borut Pahor që ta marrë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjatë muajit të kaluar Golob ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale edhe me liderët e vendeve europiane si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian, për këtë çështje.

Kryeministri shprehet i bindur se ‘ish-presidenti Pahor ka dëshmuar me punën dhe përvojën e tij të deritanishme politike, se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij,njëjtë si edhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë për qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë, edhe në të gjithë Europën’, thuhet mes tjerash, në qëndrimin zyrtar të qeverisë sllovene.

Pahor gjithashtu ka theksuar se shumë diplomatë besojnë që ai do të ishte i përshtatshëm për këtë rol.

“Disa kohë më parë, ata që besonin se do të isha i përshtatshëm për këtë rol më paralajmëruan se Lajçak mund të largohej më herët dhe më inkurajuan të mendoja të kandidoj. Pas përfundimit të karrierës sime politike, shpesh më pyesnin nëse do të aplikoja për poste ndërkombëtare. Përgjigja ishte jo por nëse nuk do të krijohej një mundësi për të punuar në Ballkanin Perëndimor, do zgjidhja dy role – Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, aktualisht Christian Schmidt, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi Pahor për mediat para do ditësh që prej momentit kur nisi të artikulohej emri i tij.

Shpërndaje në: