Berisha: Idetë e Fodës na përshtaten në mënyrë ideale, ai na solli mentalitet gjerman

Berisha: Idetë e Fodës na përshtaten në mënyrë ideale, ai na solli mentalitet gjerman

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, ka dhënë një intervistë për mediumin austriak kleinezeitung, ku është ndalur për të folur edhe për përzgjedhësin e ri të Kosovës, Franco Foda.

Berisha momentalisht aktivizohet në Austri tek ekipi LASK-u, pikërisht në vendin ku Foda arriti që të lë gjurmë si trajner.

Foda debutoi në stolin e ‘Dardanëve’ gjatë muajit mars aty ku Kosova i zhvilloi dy ndeshje miqësore ndaj Armenisë dhe Hungarisë.

Kosova arriti që Armeninë ta mposht me rezultat minimal 1-0 me golin e Rashicës, por pësoi humbje me rezultat 2-0 nga Hungaria.

“Ne kishim nevojë për një lëvizje të re, energji të re dhe një ide të re. Ai solli gjithçka këtu. Ai na la shumë përshtypje gjatë grumbullimit të parë”, ka thënë fillimisht Berisha.

“Ai dëshiron të luajmë përpara me intensitet, të fitojmë topa dhe të bëjmë më shumë goditje në portë. Kjo ka të bëjë edhe me mentalitetin e tij gjerman. Kjo është krejt e kundërt me dy trajnerët tanë të kaluar”.

“Ideja e Fodës i përshtatet lojës sonë në mënyrë ideale, sepse ne kemi disa lojtarë shumë të shpejtë në radhët tona dhe ata mund t’i shfrytëzojnë në mënyrë perfekte këto momente tranzicioni”, u shpreh mesfushori kosovar.

“Foda duhet të gjejë se cilët lojtarë mund ta ndihmojnë atë, në cilat pozita dhe kush i përshtatet më së miri sistemit të tij”, përfundoi ai.

Shpërndaje në: