Varane: Nga goditjet e topit me kokë jam tronditur dhe e kam dëmtuar trupin tim

Varane: Nga goditjet e topit me kokë jam tronditur dhe e kam dëmtuar trupin tim

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Raphaël Varane thotë se tronditjet e shumta të cilat i përjetoi gjatë karrierës së tij dhe në jetë, e kanë dëmtuar trupin e tij.

30 vjeçari zbuloi në një intervistë për “L’Equipe” se i ka zhvilluar disa ndeshje për klubin dhe për Kombëtaren derisa kishte efekte të lëndimeve në kokë.

Ai ka dashur ta ngre zërin dhe t’i ndërgjegjësojë lojtarët që të jenë të kujdesshëm pasi këtij detaji nuk po i kushtohet rëndësi dhe vëmendje në futbollin modern.

Ish-përfaqësuesi francez, i cili u pensionua nga “Trekolorët” në shkurt të vitit 2023, thotë se në ndeshjen e Kupës së Botës 2014 kundër Nigerisë, nëse do t’i thoshte dikush diçka në atë lojë, nuk do të ishte në gjendje të përgjigjej pasi ishte në “autopilot mode”.

Varane ka kërkuar që të reduktohen goditjet e topit me kokë gjatë seancave stërvitore që të reduktohen edhe rreziqet, përcjell  Express.

“Nëse i shikojmë tri nga ndeshjet më të këqija në karrierën time, janë së paku dy para së cilave kisha tronditje disa ditë më herët”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti i Real Madridit.

“Edhe nëse nuk pëson traumë të menjëhershme, e dimë se ajo mund të shfaqet pas një kohe. Nuk e di nëse do të jetoj 100 vjet, por e di se e kam dëmtuar trupin tim. E ndiej këtë”, vazhdoi mbrojtësi i Manchester United.

“Në fillim të këtij sezoni e godita topin me kokë disa herë në një ndeshje me Man Utd dhe ndihesha fort i lodhur në ditët në vijim, gjithashtu edhe lodhje të syve. Unë e kam këshilluar djalin tim 7 vjeçar që luan futboll, të mos e godasë topin me kokë”, nënvizoi tutje Varane.

“Si futbollistë, duke luajtur në nivele të larta, ne jemi mësuar me dhimbjet, jemi të themi si ushtarë, djelmosha të fortë, simbol i forcës fizike. Por, këta simptoma janë të padukshëm dhe shqetësues”, përfundoi qendërmbrojtësi francez.

Ai i përmendi edhe ndeshjen çerekfinale të Botërorit 2014 kundër Gjermanisë dhe atë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt në vitin 2020, kur kishte tronditje dhe që s’mund të fokusohej në lojë.

Shpërndaje në: