Batatina: Sivasspori më ka bërë ofertë zyrtare, edhe nga Arabia Saudite ka interesim për mua
Tahir Batatina ka zbuluar se ka tërhequr interesim nga disa klube evropiane, por edhe nga Lindja e Mesme.
Trajneri i Llapit në një intervistë në “Ora News” tha se Sivasspori është klubi që i ka dërguar ofertë zyrtare, duke shtuar se pret edhe një ofertë tjetër ditëve në vijim nga një tjetër klub, emrin e të cilit nuk e përmendi, shkruan Gazeta Express.
“Tash kam marrë oferta nga skuadrat në Evropë, kam dy oferta nga skuadrat në Turqi, në Superiore. Ka mbetur që pas përfundimit të kampionatit kosovar që të analizojë ofertat. Sivasspori ka bërë një ofertë, të cilën e kam për momentin tash, ofertë zyrtare. Edhe një skuadër jashtë Turqisë ka shprehur interesim dhe pritet këto ditë të vije oferta zyrtare”, tha fillimisht trajneri nga Podujeva.
Batatina tutje tha se për të interesim ka shfaqur edhe një klub nga Arabia Saudite, zyrtarët e të cilit kanë kërkuar edhe takim me të.
Gjithsesi, 46-vjeçari tha se nuk e ka ndërmend të lëvizë tani nga Kosova, së paku jo pa e përfunduar sezonin aktual.
“Sot më erdhi një njoftim nga menaxheri im që një skuadër në Arabinë Saudite ka bërë një hulumtim për mua dhe ka kërkuar të bëjë një takim me mua diku në Turqi, ka kërkuar që të jem prezent edhe unë. Por, pa përfunduar kampionati nuk lëvizi nga Kosova. Jam i fokusuar te kampionati i Kosovës, ta mbylli me Llapin dhe pastaj jam i hapur ta marrë ndonjë skuadër në Evropë, dhe t’i tregojë vlerat e mija si trajner dhe cilësinë të cilën mund ta shfaqi në skuadrat tjera”, deklaroi Batatina.
Kujtojmë se në fundjavën që lam pas Llapi mori kryesimin në tabelë pas fitores ndaj Lirisë, duke shfrytëzuar edhe barazimin e Ballkanit me Prishtinën.
Llapjanët kanë 54 pikë, një më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Drita.
Deri në fund të sezonit 2023/24 në Superligën e Kosovës kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe nëntë xhiro.