Mosprezenca në tavolinë përballë liderëve tjerë rajonal, kritikat e opozitës dhe arsyetimi i Kurtit për samitin në Tiranë
Kryeministri Albin Kurti u përball me kritika për mospjesëmarrjen në Samitin Ballkani Perëndimor-BE të mbajtur në Tiranë.
Kritikave për mospraninë e tij në Tiranë, Kurti iu përgjigj mbrëmë me një sqarim në Facebook.
Ai ka thënë se vizita në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishte përgatitur nga viti i kaluar, andaj pjesëmarrja në takimin e liderëve të BP-së ishte e pamundur.
Megjithatë ai tha se ndonëse virtualisht, ai mori pjesë në një konferencë ku ka theksuar mbështetjen edhe solidaritetin e Kosovës me Ukrainën, integrimin rajonal përmes Procesit të Berlinit, si dhe përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të këtij procesi.
“Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull ‘Plani i Rritjes dhe Konvergjenca’, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi ku theksova mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj; bashkëpunimin dhe integrimin Rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR)”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Mosprania e Kurtit në Tiranë është kritikuar nga opozita. Lideri i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, ka thënë se ky samit është ndër më të rëndësishmit për shtetin e Kosovës, për të cilin kryeministri ka treguar papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore.
Krasniqi Ka thënë se kreu i ekzekutivit zgjodhi të mbajë ligjërata boshe në Irlandë të Veriut, në vend se ta shfrytëzojë mundësinë ku Kosova mund të përfitojë qindra-miliona euro investime.
Ai e ka quajtur të “papërgjegjshëm e idhnak” Kurtin.
“Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar. Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.
Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian. Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen. Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”, shkroi Krasniqi.
Kritika ndaj Kurtit pati edhe Abelard Tahiri, shef i grupit parlametar të PDK-së i cili tha se fakti që Kurti refuzoi pjesëmarrjen është i papranueshëm.
“Është i papranueshëm fakti që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti refuzon pjesëmarrjen në një samit kaq të rëndësishëm në këto rrethana të cilat po kalojmë edhe për çështje sigurie, edhe për shkak të anëtarësimit të gjithë rajonit në BE. Pra, refuzimi i tillë nga kryeministri Kurti është i papranueshëm. Dhe po ju rikujtoj që për 16 vjet, qe nga koha e shpalljes së pavarësisë, Republika e Serbisë në vazhdimësi e refuzon pjesëmarrjen e Kosovës në tavolinat ku është e barabarta me gjitha shtetet e rajonit, ndërsa sot fatkeqësisht kryeministri Kurti ia plotëson një dëshirë armikut tonë, shtetit të Serbisë me mospjesëmarrjen ku ata nuk kanë nevojë për të kërkuar mospjesëmarrjen e Kosovës, sepse Kosova e refuzon një pjesëmarrje”, tha Tahiri për KP.
Ligjëratat nëpër Irlandën Veriore i quajti pretekst për të ikur nga takim, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Sipas tij nuk ka arsyetim pse Kosova nuk ishte e pranishme në këtë Samit në Tiranë.
Sipas Hotit, Samiti në Tiranë ishte vendi për të insistuar dhe avokuar në zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim.
Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.
Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, shkroi Hoti në Facebook.
Për pjesëmarrjen e tij vetëm virutale, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte thënë për se kjo do të ndodh për shkak të angazhimeve të tij.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu./reporteri