‘Në Pressing e gjuaj. Gjuani kush t’doni” – Lirimi i Konjufcës nga akuza për gazin lotsjellës ngjall reagime e ironi
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Aktgjykimi ndaj Konjufcës u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë, raportoi fillimisht Betimi për Drejtësi.
Sipas gjykatëses Çanta, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Por, lirimi i Konjufcës, tani kryeparlamentar, ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik.
Gazetari Vehbi Kajtazi, ka pyetur se ‘kush e ka kapur gjyqtaren e rastit’.
“Kush e kapi gjyqtaren Edita Çanta?
Kush e kapi Gjykaten qe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca e shpalli te pafajshem?
Vete kryetari i Kuvendit e ka pranu qe ka hedhur gaz, por i ka rene pishman qe nuk ka perdorur allti me gaz.
E gjyqtarja, Çanta tha se nuk eshte vertetuar se ai ka perdorur gaz.
Ani, vec kallxona kush te kapi oj gjyqtare? Klani Pronto apo Klani i ketij pushteti?
P.s. Glauk Konjufcen e çmoj me shume se secili njeri i pushtetit”, shkruan Kajtazi.
Për gazetarin Lirim Mehmetaj, ky vendim, ‘i jep të drejtë secilit qytetar që ta përdorë gazin lotsjellës në qytet apo edhe në cilindo institucion’.
“Nga sot, kushdo që është i interesuar, mund të marrë bombola gazi lotsjellës dhe t’i hedh në qytet, por edhe në ambiente të institucioneve të Kosovës, sepse sipas Gjykatave të Kosovës kjo nuk është vepër penale.
Kështu thotë vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë që e ka liruar nga akuza Glauk Konjufcën për këtë vepër, përkundër se i njëjti e ka pranuar vetë publikisht me 14 mars 2019.
Pra, kurdo që dëshironi, sipas gjykatave në Kosovë, lirisht mund të përdorin gazlotsjellës nëpër institucione, sepse është veprim i lejueshëm.
Kosova, kjo demokraci që po lulëzon”, shkruan Mehmetaj.
Gazetari Ilir Mirena, ka ironizuar me vendimin, duke shkruar se ‘mund ta përdorë gazin lotsjellës ndaj analistit Sadri Ramabaja në Pressing’.
“Prej neser une xhepat plote me bombola me gaz lotsjelles. Ku t’bahem nervoz kam me e gju njo. N’parlament, n’polici, n’komune, n’semafora, n’kafe, n’shpi…
Edhe te Leo n’Pressing Ramabajes ja gjuj njo naj nate.
Nga gjykatat jemi t’lirum, kshtu qe pse jo. Gjuni kah t’mundeni lotesjelles…😊”
Natyra Kuçi e PSD-së, shkruan se për të njëjtën vepër, ishte dënuar Driton Çaushi.
“Standard i dyfishte
Glauk Konjufca sot u shpall i pafajshem per hedhje te gazit lotsjelles ne Kuvend, perderisa Driton Çaushi denohet 14 muaj burgim me kusht. Njesoj edhe Albulena Haxhiu ishte shpallur e pafajshme per rastin e hedhjes se gazit.
Glauku ne 2019 e ka pranu vepren me mburrje, ndersa para gjykate kane genjyer edhe ai edhe avokatja ne emer te tij. Kryeparlamentarin e kemi mashtrues. Por, gjykatat qe denojne Dritonin e shpallin te pafajshem Glaukun çka jane?”, shkruan ajo.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 23 shkurt 2024, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Besart Mustafa kërkoi që Konjufca të dënohet për veprën penale që i vihej në barrë, ndërsa mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri kërkoi që ai të lirohej nga akuza.
Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.