Intensisteti ynë pasional për Erdoganin
Me dështimin e grusht shtetit në Turqi, duket sikur është rritur intensiteti ynë pasional ndaj presidentit turk Erdogan. Pra, duket sikur Erdoganin nuk e shohim vetëm si një lider karizmatik si Obamën, apo si Bill Clintonin, për shembull, ose si Benjanim Netanyahun – shpesh me urrejtje, për shembull. Duket sikur Erdoganin e shohim disi si me pasion. Fjalorin e tij, kur ka vizituar një tokë shqiptare, kudo qoftë, rëndom e përbëjnë dy fjalë: vëllezërit tanë (shqiptarët), toka jonë (shqiptare).
Ajo që na bën përshtypje më shumë, që të na rritet ky intensitet pasioni, janë fotografitë e tij duke puthur flamurin turk, fotografitë e tij duke prirë namazin e sabahut, fotografitë e tij me katër gishta lart, për masakrën në Raabia.
Të gjitha këto detaje te presidentit turk, na bëjnë ta duam më shumë. Dhe ta gjejmë gjoja liderin që kërkojmë, liderin që na mungon. (Por të gjithë e dimë se s’na mungon, ne kemi ndoshta dhjetëra Erdoganë(r) në mesin tonë).
Më bën më shumë përshtypje një shaka e përhapur më parë, ku gjoja katër qytetarë turq janë në burg: njëri pse ka ‘lëshuar një fore’ për Erdoganin, tjetri pse ka qeshur, tjetri pse e ka dëgjuar dhe tjetri pse e di që ekziston një shaka e tillë me Erdoganin, se sa fotografitë e tij duke prirë vakte namazesh nëpër xhami. Sepse, shakaja për Erdoganin, flet për Erdoganin e vërtetë. Erdoganin të cilin s’e njohim jashtë fotografive duke u falur nëpër xhami.
Atë, shumica e shohin si ‘Shpëtimtarin e fesë(islame)’ dhe ‘Shpëtimtarin e myslimanëve’. Dëgjoni: kur Erdogani ua futë turinjve me nga një deklaratë palidhje vendeve si Amerika, Gjermania, Rusia, ne themi: e shihni kush është i forti këtu? Kur kthehet kërkon falje për të njëjtat deklarata, duket se nuk kemi qasje në internet ose bëhemi kështu. Kur përmenden lidhjet e tij me ISIS’in, heshtim.
Diskursi i Erdoganit, zakonisht është një ligjërim fetar. Pra, njësoj është sikur ta dëgjoni një hoxhë në xhami sikur Erdoganin në konferencë për media. Këtë e vërtëton edhe deklarata e fundit e tij se “puçi ishte një dhuratë nga Zoti”. Sipas historisë, në fe (sidomos në atë islame), shumë nga ngjarjet që nuk kanë qenë në të mirë të komunitetit, kanë qenë një ‘sprovë nga Zoti, një paralajmërim nga Zoti, një mësim”. Kështu e nxori edhe Erdogani mësimin nga grusht shteti në Turqi.
Për ta pasuar në rrugën e deklaratave skandaloze përballë një grusht shteti të dështuar (që sipas analizave të fundit mund të jetë organizuar nga vetë pushteti turk, por që s’dua të hyj në këtë pjesë sepse nuk kam ndonjë njohuri të madhe), e pason edhe kryeministri turk, Binali Yilidirim, i cili, paska vendosur që dita që ‘nxori’ rreth 300 viktima në Turqi, të shënohet si ‘Festival i Demokracisë’.
Pra, për kokën e shtetit turk, puçi ishte ‘dhuratë nga zoti’ ndërkaq për kokën e dytë ishte një ‘festival i demokracisë’.
Ndërkohë, studentët shqiptarë grisin diplomat që kanë marrë nga një Universitet i armikut ‘të të dashurit tonë Erdogan’, Fetullah Gulen. Çdoherë kur ‘preket’ Erdogani, jemi të gatshëm të manifestojmë përkrahje me pankarta e bllokime rrugësh, kurdo dhe kudo…Se jemi të gatshëm ta japim jetën.
Duke mos na interesuar asgjë për veprimtarinë e tij të brendshme politike, burgosje gazetarësh, ndalim e përqeshje rrjetesh sociale, e çkado tjetër, ne vetëm, thjesht, e duam Erdoganin ndonjëherë deri në blasfemi.
Dikur e kam shikuar edhe vetë kështu Erdoganin.
Edhe Obama e paska dashur dikur.
‘Por Obama nuk ndjen më ndonjë dashuri për Erdoganin”, shkruan një artikull i Politico. “Obama tanimë e konsideron Erdoganin si një autokrat banditezk i cili kërcënon demokracinë e Turqisë po aq sa gjeneralët që u përpoqën ta përmbysin atë’, vazhdon më tej artikulli.
Ndoshta është koha të mos e duam Erdoganin më. Pavarësisht deklaratave të politikanëve shqiptarë që përshëndesin ‘vëllain’ Erdogan, është koha ta ulim intensitetin pasional për Erdoganin.