Ata që luajnë vazhdimisht video-lojëra rrezikojnë të humbin dëgjimin

Ata që luajnë vazhdimisht video-lojëra rrezikojnë të humbin dëgjimin

Studimi i fundit i BMJ Public Health tregon se personat që luajnë rregullisht video lojëra janë të cenueshëm ndaj tinitusit, një diagnozë e njohur shpesh si “cingërimë në vesh”, e cila kur ndodh shpesh paralajmëron humbje të dëgjimit.

“Numri i kufizuar i dëshmive që kemi nga rezultatet sugjerojnë se lojërat mund të shkaktojnë dobësim të dëgjimit, gjë që mund të vendosë shumë individë në mbarë botën në rrezik të humbjes së përhershme të dëgjimit dhe/ose tinitus”, shkruan në studim.

Sipas hulumtuesve, kjo u ndodh personave që luajnë për periudha të gjata kohore me zë të lartë.

Hulumtimi i botuar në BMJ Public Health është përmbledhje dhe analizë e rezultateve të 14 hulumtimeve tjera, të cilat gjithsej përfshijnë më shumë se 50,000 njerëz.

Autorët e punimit kërkojnë të ngritet vetëdija e publikut të gjerë për pasojat e video-lojërave në të njëjtën mënyrë siç paralajmërohet për efektet e dëgjimit të muzikës me zë të lartë dhe përdorimit të kufjeve.

Edhe pse ulja e zërit të video-lojës ose lojërave kompjuterike në përgjithësi ndikon pozitivisht, problemi kryesor, sipas autorëve, është koha e gjatë që kalohet duke luajtur.

Për shembull, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se të rriturit mund të përballojnë zë deri në 80 decibel (dB) çdo 40 orë në javë, që është përafërsisht sa zhurma e një zileje dere. Sa më shumë të tejkalohet ky nivel aq më i madh është rreziku të humbet dëgjimi.

Të rriturit duhet të dëgjojnë vetëm 85 dB për katër orë në javë dhe 90 dB për një orë e 15 minuta në javë, sipas udhëzimeve të OBSH-së. Për fëmijët, pragjet janë edhe më të ulëta. Mirëpo, për shembull, njëri nga hulumtimet e analizuara nga autorët tregonte se nivelet mesatare të zhurmës së kufjeve në katër lojëra me të shtëna ishin midis 88.5 dhe 91.2 dB. Kurse në disa raste zëri arrinte deri në 119 dB.

Ajo që u mungon hulumtimeve është të merren të dhëna për atë se si ndikon mosha dhe gjinia në shpejtësinë e humbjes së dëgjimit dhe autorët deklaruan që në të ardhmen të bëhet edhe kjo. Tani për tani, ata sugjerojnë të luhet me të paktën 50% e zërit të maksimal dhe të bëhen pauza 5 minutëshe pas çdo ore. /Top24

Shpërndaje në: