A janë antibiotikët zgjidhja për të gjitha infeksionet?

A janë antibiotikët zgjidhja për të gjitha infeksionet?

Përdorimi i saktë i antibiotikëve mbetet një temë pak e njohur dhe ka shumë besime të gabuara.

Për shembull, pothuajse një në dy qytetarë do t’i përdorte këto barna për të trajtuar çdo lloj infeksioni.

Në realitet, paralajmërojnë mjekët, antibiotikët duhet të përdoren me kujdes dhe nuk janë efektivë kundër infeksioneve virusale, por vetëm kundër atyre të shkaktuara nga bakteret.

Për më tepër, përdorimi i papërshtatshëm i këtyre barnave është baza e një fenomeni shumë serioz, ai i rezistencës ndaj antibiotikëve. Domethënë, disa mikrobe, pas përdorimit të tepërt të këtyre barnave, zhvillojnë forma të rezistencës dhe anulojnë efektet e vetë ilaçit. Por, njerëzit nuk e dinë këtë.

Konsumimi i ndërgjegjshëm i këtyre barnave, si te njerëzit ashtu edhe te kafshët, është thelbësor për të parandaluar zhvillimin e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.

Fenomeni në fakt tashmë ka marrë përmasa alarmante dhe shumë ekspertë flasin për një pandemi ”të heshtur”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 670 mijë infeksione nga mikrobet rezistente ndaj antibiotikëve ndodhin në Evropë çdo vit, duke shkaktuar rreth 33 mijë vdekje.

Numrat në nivel global janë të pamëshirshëm dhe pasqyrojnë, në fakt, një pandemi të re në progres, pasi çdo 30 sekonda një person vdes sepse preket nga një infeksion i shkaktuar nga mikrobet rezistente që i bën të padobishëm antibiotikët në dispozicion.

Ndaj është e rëndësishme që t’i përdorni mirë antibiotikët, për të kuruar veten dhe jo për të nxitur fenomenin e rezistencës.

Mjekët paralajmërojnë, për shembull, se për të trajtuar infeksionet e zakonshme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ato me origjinë virale si ftohja dhe gripi, nuk janë të nevojshëm antibiotikët, pikërisht sepse bëhet fjalë për infeksione të shkaktuara nga viruset, ndaj të cilëve antibiotikët nuk kanë asnjë efekt terapeutik.

Duke folur për dhimbjen e fytit, atëherë është konstatuar se në 9 nga 10 raste dhimbja e fytit është me origjinë virale dhe jo bakteriale, prandaj nuk kërkon marrjen e antibiotikëve për trajtim.

KONKLUZION

Antibiotikët nuk duhet të përdoren kundër të gjitha llojeve të infeksioneve, por vetëm për të zhdukur infeksionet me origjinë nga bakteret.

Përdorimi i gabuar i këtyre barnave, përveçse nuk çon në efekte konkrete kur bëhet fjalë për zhdukjen e sëmundjeve me origjinë virale, shkakton fenomenin shumë të rëndë të rezistencës ndaj antibiotikëve. /ANSA/

Shpërndaje në: