Kështu duket tabela e Superligës pas derbit të sotëm ndërmjet Dritës dhe Ballkanit
Sot u zhvillua ndeshja e mbetur e xhiros së tretë të Superligës së futbollit ndërmjet Dritës dhe Ballkanit.
Skuadra gjilanase e fitoi këtë derbi me përmbysje me rezultat 2:1 për të mbetur në garë për titull të kampionit.
Bardhekaltrit e gjetën veten në disavantazh pasi kampionët e Kosovës avancuan të parët me golin e Bajram Jashanicës, shkruan Gazeta Express.
Por, golat e Blend Baftiut dhe Blerim Krasniqit përmbysën gjithçka në pjesën e parë dhe Drita e regjistroi një fitore të madhe, e cila ia mundëson t’i afrohet liderit Ballkani në pesë pikë, ndonëse ky i fundit e ka një lojë më pak të zhvilluar.
Ballkani do ta zhvillojë lojën e mbetur të xhiros së 13-të me Gjilanin gjatë fundjavës.
Për momentin është 5 pikë përpara dy ndjekësve kryesorë për titull të kampionit, Llapi dhe Drita, të cilët e kanë nga një lojë më shumë.