Berisha në prag të heqjes së imunitetit, opozita proteston
Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë, pas një mbledhjeje për më shumë se 6 orë, miratoi kërkesën e Strukturës së Posacme Anti-Korrupsion ,( SPAK) për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kërkesa e SPAK u miratua me gjashtë vota pro: ato të pesë deputetëve të PS, anëtarë të këtij këshilli, dhe një vote nga anëtarët e opozitës, atë të deputetit demokrat Enkelejd Alibej, përfaqësues i PD-së zyrtare, kundërshtare e fraksionit “Grupimi i Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha.
Vendimi i Këshillit të sipër përmendur i hap rrugën votimit të deputetëve në seancë plenare, këtë të enjte, (21.12) për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Berisha dhe vënien e tij në dispoziciom të drejtësisë për t’u hetuar lidhur me dyshime për përfshirjen e tij „në korrupsion pasiv në bashkëpunim” në privatizimin e truallit të ish-kompleksit sportiv „Partizani”në Tiranë.
Prokurorët e SPAK dyshojnë, se deputeti demokrat Berisha, kur ishte kryeministër (2005 – 2013) favorizoi dhëndërin e tij, Jamarbër Malltezi, për të ngritur një kompleks kullash shumëkatëshe, duke qenë një nga pronarët të truallit në fjalë i shpronësuar gjatë regjimit komunist.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve morën pjesë dy prokurorët e SPAK, që kanë nënshkruar kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-kryeministrit Berisha, i cili u përfaqësua në mbledhje nga avokatët e tij. Vetë Berisha mori pjesë në protestën e Grupimit të Rithemelimit, që u zhvillua para Kryesisë së Parlamentit, njëherazi me mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Protesta kundër SPAK nis lëvizjen „Opozita në aksion”
Mbështetës të fraksionit „Grupimi i Rithemelimit” në PD, të kryesuar nga ish-kryeministri Berisha, protestuan kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës. Protesta e tyre para zyrave të Kryesisë së Parlamentit shënoi edhe fillimin e lëvizjes “Opozita në aksion” dhe të mosbindjes civile. Me këtë lëvizje opozita kundërshton refuzimin e maxhorancës socialiste për të plotësuar kërkesat e saj lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore, për të cilën këmbëngul që është një e drejtë kushtetuese e opozitës. Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar disa herë që lëvizja “Opozita në aksion” nuk ka të bëjë me hetimin e SPAK ndaj tij.
“Prokurorë mercenarë, paraqiten në Këshillin e Mandateve të parlamentit pasi kanë kryer puç kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbët nenet e kushtetutës së vendit”, sulmoi ish-kryeministri Berisha prokurorët e SPAK, të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Pse Berisha akuzon SPAK?
Në fillim të muajit të kaluar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,(GJKKO) mori masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha,”Detyrim për paraqitje” dhe ”Ndalim të daljes jashtë shtetit” duke i bllokuar pasaportën. Kjo gjykatë kërkoi që ish-kryeministri Berisha të paraqitej dy herë ҫdo muaj pranë policisë gjyqësore të SPAK-ut për t’u pyetur lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizanti”. Masën e sigurisë GJKKO e mori pa kërkuar autorizim nga parlamenti.
Ish-kryeministri Berisha refuzoi me këmbëngulje të zbatonte vendimin e GJKKO. Duke qenë deputet dhe gëzuar imunitet parlamentar ai e konsideroi atë „një vendim antikushtetues.”
Sipas Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë, kundërshtimi i zbatimit të një mase sigurie të marrë nga gjykata sjell një masë sigurie më të rëndë, në rastin konkret arrest shtëpie ose me burg gjë që pritet të zbatohet pas votimit këtë të enjte (21.12.2023) në Parlament për zbatimin ose jo të vendimit të Këshilli të Mandateve.
Rezultati i votimit nuk ka gjasa që të jetë në favor të Berishës. Maxhoranca socialiste e ka numrin e duhur të votave për të miratuar heqjen e imunitetit të tij parlamentar. Rruga e SPAK për të zbatuar masën e arrestit është pa pengesa nga parlamenti. Edhe pse SPAK në kërkesën drejtuar Këshillit të Mandateve nuk përcakton arrest shtëpie apo arrest me burgim, Kodi i Procedurës Penale të Shqipërisë nuk lejon burgosjen e personave mbi të 70-tat dhe Berisha është 79 vjeҫ.
Berisha me dy qëndrime të ndryshme
Kur SPAK bëri publike kërkesën e tij drejtuar parlamentit për heqjen e imunitetit parlamentar, ish-kryeministri Berisha deklaroi se “çfarëdo vendimi të marrin deputetët pas dhënies së autorizimit nga Këshilli i Mandateve, do ta respektoj atë pa asnjë diskutim”
Kur Këshilli i Mandateve nisi të hënën (19.12.2023) diskutimet lidhur me kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar dhe marrjen nga parlamenti të autorizimit për arrest ai doli me një qëndrim të ndryshëm. “Kjo është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, një zyrë noterie,” tha Berisha duke nënkuptuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Prokurorët e SPAK-ut, të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, theksuan që kërkesa e tyre për autorizim nga parlamenti për masën e sigurisë me arrest shtëpie erdhi si pasojë e refuzimit të masës së parë të sigurisë.
A do të vazhdojnë protestat pas heqjes së mandatit?
“Do të përdorim çdo mjet të mosbindjes civile ndaj këtij regjimi. Nuk ka forcë që na ndal më. Ne jemi dhe do mbetemi luftëtarë të lirisë deri në ditën e fitores së plotë, atë të largimit, të përmbysjes së këtij regjimi që po shfarros shqiptarët,” tha Berisha në fjalën e tij të mbylljes, të mbajtur para publikimit të vendimit të Këshillit të Mandateve. Përveç hedhjes së flakadanëve me ngjyra protesta përfundoi pa eksese.
Ish-kryeministri Berisha u bëri tirrje protestuesve të vijojnë protestën e tyre këtë të enjte, më 21 dhjetor, kur parlamenti ka seancën plenare dhe ku deputetët do të votojnë për heqjen e imunitetit të tij parlamentar. A do të vazhdojnë mbështetësit e tij lëvizjen “Opozita në aksion” kur Berisha të jetë në arrest shtëpie? Kjo nuk mund të dihet dhe mbetet për t’u parë./dw/