Trajneri i Mallorcës s’jep lajme të mira për Muriqin teksa flet për gjendjen e tij fizike
Trajneri i Mallorcës, Javier Aguirre ka folur për gjendjen aktuale fizike të Vedat Muriqit.
“Pirati” kishte pësuar lëndim në ndeshjen e Kosovës me Izraelin herët gjatë këtij muaji, ndërsa mjekët kishin konstatuar më pas se 29 vjeçari do të mundë të mungojë deri në 5 javë, shkruan “Gazeta Express”.
E për gjendjen e përfaqësuesit kosovar para duelit të sontëm me Cadizin në La Liga, në konferencë për shtyp foli trajneri i ekipit ishullor spanjoll.
Ai nuk dha lajme të mira për tifozët e Mallorcës pas tërheqjes muskulore që e pësoi ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.
“Ai është keq, është i lënduar me tërheqje muskulore. Ai e kishte një lëndim që do ta lë gjatë jashtë fushës së blertë, i kanë mbetur edhe tri ose katër javë. Mjeku i klubit thotë se mund të mungojë edhe rreth katër javë. Në ndeshjet që do t’i luajmë në shtëpi Vedati nuk do të jetë, kjo është e sigurt. Do të shohim se si do të shkojnë këto tri javë për ta parë nëse ai do të jetë në gjendje për të luajtur në Almeria”, u shpreh trajneri Aguirre.
Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Mallorcas në tre sezonet e fundit dhe e ka marrë në qafë këtë ekip në ndeshje të rëndësishme për ta siguruar mbijetesën në La Liga.
Ndërkohë, dje mediat spanjolle raportuan se interesim për Muriqin, i cili ka kontratë me Mallorcën deri në vitin 2027, ka shfaqur Real Betisi.
Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është vendosur 30 milionë euro.