“Nuk na donin as familjarët tanë”, Hysaj tregon periudhën e errët të kombëtares
Disa prej lojtarëve të kombëtares ishin pjesë e podcastit të kryeministrit, Edi Rama. Një prej tyre ishte edhe Elseid Hysaj. Shkodrani tregoi si u përjetua ajo periudhë e errët që kaloi kombëtarja deri para mbërritjes së Sylvinhos. Mbrojtësi që aktivizohet me Lazion, shprehet se tekniku brazilian di si t’ju japë siguri lojtarëve ndërsa i bën ata të ndjehen si më të mirët.
“Ka ndryshuar shumë sepse kam thënë gjithmonë, nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi pas në këtë kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që t’i je lojtar i fortë dhe mund të bësh më shumë sesa herët e tjera.
Siç e the dhe ti, ti ke ardhur në stadium dhe ke ikur në minutë të ’70, por ne qysh në minutë të parë e kemi pasur këtë kokën duke na plasur sepse nuk po ecte mirë në ato vite që me të vërtetë besoj kanë qenë vitet më të këqija që kemi kaluar ndonjëherë, në kombëtare dhe ne vetë.
Njerëzit nuk na donin, as familjarët tanë nuk na donin në një moment. Ardhja e trajnerit të ri, pozitiviteti që na ka dhënë trajneri dhe vetëbesimi i gjithë lojtarëve, na ka bërë të rritemi dhe ne, pas Polonisë, kur luajtëm atje, të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që me të vërtetë mund t’ia dalim këtë vit sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet, kemi lojtarë, po nuk qe njëri, futet tjetri që i jep një dorë dhe është ndoshta edhe më mirë sesa tjetri që ishte në fushë dhe besoj që kjo ka qenë pika më e fortë e jona që ka ndryshuar”, u shpreh Hysaj.